
Prishtina po pozicionohet fuqishëm në hartën globale
Kryetari Përparim Rama ka thënë se Prishtina po pozicionohet fuqishëm në hartën globale, duke u vlerësuar për vizionin dhe karakterin e saj unik.
“Para kryetarëve të 120 qyteteve të botës Prishtina u vlerësua për vizionin tonë: Qytetari i parë – një qytet që vendos qytetarin në qendër të zhvillimit të tij! Arti dhe kultura si motor për rritjen ekonomike – duke i dhënë qytetit një dimension të fuqishëm kulturor dhe ekonomik! Festivalet si faktori kyç në branding-un e qytetit – duke e shndërruar çdo ngjarje në një promovim global të identitetit dhe vlerave të Prishtinës”, ka theksuar Rama.
Ai ka treguar se pati mundësinë të dëgjoj nga kryetarët e Bukureshtit, Amanit, Sarajevës, Madridit dhe Bejrutit përshtypjet e tyre mbi karakteristikat dhe zhvillimin e kryeqytetit tonë.
“Prishtina ishte shembull ndër 120 qytetet e Evropës dhe Arabisë, që morën pjesë në forumin “Arab European Cities Dialogue”. Ne po forcojmë diplomacinë urbane dhe po zhvillojmë ide të reja për të mirën e qytetarëve tanë. – Ky është vizioni i Prishtinës, që na nevojitet: një qytet i hapur, i zhvilluar dhe një referencë në agjendat globale”, ka deklaruar Rama.