Prishtina ofron shërbime shëndetësore falas për policët e Kosovës

Prishtina ofron shërbime shëndetësore falas për policët e Kosovës

Policët e Kosovës do të kenë mundësi t’i shfrytëzojnë falas të gjitha shërbimet që ofron Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë. Kjo pas vendimit që ka marrë Asambleja Komunale në kryeqytet.

Për t’i njoftuar me shërbimet që ofrojnë drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxhën vizituan QKMF-në, ku ky i fundit edhe u informua me të gjitha shërbimet që ofrohen falas.

Sadiku tha se ka njoftuar drejtorin e policisë në detaje për shërbimet që do t’i ofrohen pjesëtarëve të Policisë.

“Qëllimi ynë ka qenë me njoftuar komandantin se cilat shërbime janë, cilat mund t’i ofrojmë ne për Policinë e Kosovës. Ne e kemi njoftuar në detaje, me qëllim që të gjithë pjesëtarët e policisë të fillojnë me shfrytëzuar këtë të drejtë që ua ka dhënë Asambleja Komunale e Prishtinës,” tha Sadiku.

Ndërsa, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha shpreson të ketë policë të shëndoshë për t’i shërbyer qytetarëve të Prishtinës.

“Ishte një vendim shumë i drejtë dhe i mirëpritur nga Policia e Kosovës. Ne do të marrim përsipër që të njoftojmë të gjithë policët e Kosovës dhe t’i shfrytëzojnë këto shërbime që ka ofruar falas kryeqyteti dhe qendrat e mjekësisë familjare. Po shpresojmë të kemi policë të shëndoshë për me i shërbyer qytetarëve të Prishtinës,” shtoi ai.

Ky vendim është marrë nga Asambleja Komunale e Prishtinës./KP/