Prishtina merr një pikë ndaj kampionit, Llapi fiton në Prizren
Prishtina ka vazhduar serinë e rezultateve pa humbje. Në kuadër të javës së 18-të në Albi Mall Superligë skuadra nga kryeqyteti ka arkëtuar një pikë në Suharekë në përballje me liderin dhe kampionin në fuqi, Ballkanin, duke mbyllur ndeshjen baras (0:0).
Për skuadrën e drejtuar nga Emmanuel Egbo kjo është ndeshja e gjashtë pa humbje. Të dyja palët patën disa mundësi të mira shënimi, por golin ua mohoi traversa. Ndërkohë, Llapi ka shfrytëzuar barazimin e Ballkanit, teksa ka fituar në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren ndaj Lirisë, me rezultat 2:0.
Muhamet Hyseni shënoi golin e parë në minutën e 28-të pas një asistimi të shkëlqyer nga Ilir Blakçori, derisa golin e dytë e shënoi kapiteni Hamdi Namani, në minutën e 61-të. Tani skuadra e Tahir Batatinës ka vetëm pesë pikë ngecje ndaj Ballkanit, por skuadra portokallezi ka dy ndeshje më pak.
Djelmoshat e Ilir Dajës të mërkurën do ta zhvillojnë ndeshjen e mbetur të javës së 3-të kundër Dritës në Gjilan, derisa në të njëjtin qytet do të udhëtojnë edhe të dielën e ardhshme ku do të përballen me Gjilanin, në ndeshjen e mbetur të javës së 13-të.