
Prishtina me fitore bindëse ndaj Llapit
Skuadra e Prishtinës ka realizuar fitoren e dytë radhazi në edicionin e ri të Albi Mall Superligës.
Pas fitores në Klinë, skuadra e drejtuar nga Arsim Thaçi, ka triumfuar edhe në duel me Llapin.
Ndeshja e zhvilluar në një atmosferë mjaft të mirë në stadiumin “Fadil Vokrri” u mbyll me rezultat bindës 3:0.
Golin e parë për bardhekaltrit e kryeqytetit e shënoi Mario Ilievski në minutën e 37-të. Me epërsinë e një goli u mbyll pjesa e parë.
Ndërkohë, nuk vonoi shumë goli as në pjesën e dytë, kur talenti 17-vjeçar Rin Ahmeti, realizoi nga pika e bardhë për 2:0, në minutën e 58-të.
Paraprakisht Valmir Veliu u ndalua në mënyrë të parregullt nga mbrojtësit llapjan, penallti të cilën gjyqtari Mentor Ajeti e akordoi pas rishikimit të situatës në VAR.
Ndërkohë, pas disa rasteve nga të dyja skuadrat, në minutat shtesë u akordua edhe një penallti për Prishtinën pas ndërhyrjes së VAR-it.
Kësaj radhe portieri Çoriq goditi brenda zonës në dyluftim në ajër për top sulmuesin Alban Shillova.
I saktë nga penalltia ishte Valmir Veliu, duke vulosur rezultatin e këtij takimi, 3:0. Kësisoj, Prishtina dhe Ferizaj janë dy skuadrat e vetme me gjashtë pikë pas javës së dytë.
