
Prishtina fiton ndaj Suharekës me ‘Hat-trick’ të Ardian Limanit
Skuadra e Prishtinës është rikthyer te fitorja në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll, duke e mposhtur Suharekën në udhëtim, me rezultat të thellë 4:0, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 28-të.
Kjo ishte fitorja e dytë rresht për skuadrën nga kryeqyteti, pas triumfit të arritur të mërkurën në Gjilan kundër Dritës (1:0) në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Kosovës.
Në përballjen ndaj Suharekës, Prishtina tregoi formë të lartë, teksa Ardian Limani tregoi efikasitet të jashtëzakonshëm, duke shënuar tre gola.
Epërsia u vendos në minutën e 39-të, kur qendërmbrojtësi Ardian Limani shënoi me kokë pas një ndërprerjeje, duke i dhënë avantazh ekipit të tij para përfundimit të pjesës së parë.
Pjesa e dytë nisi me ritëm të lartë për Prishtinën, që e gjeti golin e dytë në minutën e 51-të përmes Dion Gallapenit, i cili konkretizoi një aksion të mirë të skuadrës.
Në minutën e 66-të, Ardian Limani realizoi golin e tij të dytë personal dhe të tretin për Prishtinën, duke përfituar nga një gabim i portierit Oytun Ozdogan pas një goditjeje nga këndi. Goli u konfirmua edhe nga sistemi VAR.
Prishtina, edhe pse nga minuta e 79-të luajti me një lojtar më pak në fushë, arriti të shënojë edhe golin e katërt në minutën e 82-të, kur Limani kompletoi ‘Hat-trick’-un e tij, duke vulosur fitoren bindëse në këtë sfidë.
Me këtë fitore, Prishtina ngjitet në kuotën e 38 pikëve dhe pozicionohet në vendin e katërt në tabelë, ndërsa Suhareka mbetet në pozitën e tetë me 32 pikë.