Prishtina e Malisheva arrijnë fitore si mysafire

Prishtina e Malisheva arrijnë fitore si mysafire

Malisheva dhe Prishtina arritën fitore të rëndësishme si mysafire në kuadër të javës së 3-të në Albi Mall Superligë. Malisheva triumfoi ndaj Llapit në stadiumin “Zahir Pajaziti” me rezultatin minimal 1:0, falë golit të Fatjon Bunjakut në minutën e 55-të.

Edhe pse luajtën me një lojtar më pak pas përjashtimit të Robert Matheiu Ndiji, malishevasit ruajtën epërsinë dhe regjistruan fitoren e parë të këtij edicioni.

Llapi, nga ana tjetër, humbi rastin për të barazuar kur Ahmed Januzi rrezikoi në minutën e 88-të, por gjuajtja e tij shkoi pranë shtyllës.

Ndërkohë, Prishtina shijoi fitoren e parë në edicionin e ri, duke mposhtur Ferizajn me rezultatin 3:1 në udhëtim. Sunday Akinbule ishte heroi i ndeshjes, duke realizuar dy gola për Prishtinën në minutat e 5-të dhe 21-të, me asistimet e Dion Gallapenit.

Edhe pse Planet Veseli shënoi për Ferizajn në minutën e 63-të, Prishtina siguroi fitoren me golin e Ardian Mujës në minutën e 77-të.

Këto fitore e vendosin Malishevën dhe Prishtinën në pozita të favorshme për xhiron e ardhshme, ku Malisheva do të presë Ballkanin, ndërsa Prishtina do të jetë mikpritëse e Llapit.