Prishtina dhe Malisheva fitojnë si mysafire
Skuadra e Prishtinës arriti fitore të rëndësishme kundër Dukagjinit, falë golit të Leonat Vitijës në minutën e 97-të.
Gentrit Salihu krosoi saktë nga këndi, ndërsa Vitija me një goditje të fuqishme me kokë e çoi topin në rrjetë për rezultatin final 1:0. Kjo ndeshje i takoi javës së 15-të në Albi Mall Superligë.
Prishtina realizoi edhe më herët por goli i Akinbules u anulua nga gjyqtari. Me këtë fitore, Prishtina ngjitet në vendin e katërt në tabelë me 25 pikë, ndërsa Dukagjini mbetet në pozitën e tetë me 17 pikë.
Edhe në ndeshjen tjetër ndërmjet Gjilanit dhe Malishevës fitores iu gëzuan mysafirët, 1:0. Heroi i Malishevës ishte Fatjon Bunjaku, i cili shënoi në minutën e 94-t, duke i dhënë skuadrës së tij tri pikë.
Kjo fitore e vendos Malishevën në pozitën e dytë të tabelës me 28 pikë, vetëm dy më pak se lideri aktual i Superligës, ndërsa Gjilani zbret në vendin e gjashtë me 17 pikë.