Prezantohet raporti fillestar i projektit 58 milionësh për ndërtimin e digës së Pollatës

Prezantohet raporti fillestar i projektit 58 milionësh për ndërtimin e digës së Pollatës

Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, sot ka marrë pjesë në një takim që është mbajtur në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) ku është prezantuar raporti fillestar i projektit për ndërtimin e Digës së Pollatës.

Në këtë takim prezent ishin ministri në detyrë, Liburn Aliu, zëvendësministri Jeton Raka dhe zyrtarë tjerë.

Kryetari Bulliqi tha se sipas raportit fillestar të hartuar nga kompania e kontraktuar nga MMPHI-ja, kjo digë do të ketë kapacitet të përgjithshëm prej mbi 11 milionë m³ ujë, nga të cilat mbi 9.8 milionë m³ do të jenë ujë i dobishëm për furnizim.

“Projekti parasheh tre skenarë furnizimi me ujë, që në varësi të ndarjes nga sistemi i Batllavës, mund të furnizojë deri në 117,497 banorë me 314 l/s.
Ky është një investim jetik që garanton furnizim të qëndrueshëm me ujë për mijëra qytetarë dhe zhvillim të qëndrueshëm për rajonin e Llapit”, theksoi Kryetari Bulliqi.

Ndërkohë, ministri në detyrë, Liburn Aliu, tha se me një vlerë rreth 58 milionë euro, kjo digë pritet të lehtësojë ndjeshëm mungesën e ujit, sidomos tani kur thatësirat po bëhen më të shpeshta si pasojë e ndryshimeve klimatike globale.