
Presidentja Osmani, kryesuesit të Kuvendit: Vazhdojeni seancën konstituive
Presidentja Vjosa Osmani i ka kthyer të mërkurën përgjigje kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, i cili iu drejtua asaj me kërkesën për “sugjerime” pasi e ndërpreu seancën për shkak të mosmiratimit të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve.
Në këtë letër, Osmani thotë se fryma e Kushtetutës, praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit të Kosovës “ju obligon që seancën konstituive ta vazhdoni jo më vonë se brenda 48 orëve nga ndërprerja e saj”.
“Kushtetuta më obligon që të garantoj funksionimin kushtetues të institucioneve. Prandaj, në këtë frymë, sot i jam përgjigjur letrës së pranuar nga z. Avni Dehari, Kryesues i seancës konstituive të Legjislaturës së 9-të. Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese tashmë kanë përcaktuar obligimin e të gjithë deputetëve që të jetësojnë, e jo të bllokojnë formimin e institucioneve, si dhe të gjejnë rrugën përpara për konstituimin e Kuvendit.
Interesi i Republikës së Kosovës le të jetë udhërrëfyes suprem në këtë proces”, ka shkruar Osmani në “Facebook”.