Presidenti i Malit të Zi s’e dekreton marrëveshjen për Plazhin e Madh në Ulqin

Presidenti i Malit të Zi s’e dekreton marrëveshjen për Plazhin e Madh në Ulqin

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ia ka kthyer Kuvendit për rishqyrtim njërën nga dy marrëveshjet që Qeveria e Malit të Zi i kishte nënshkruar me Emiratet e Bashkuara Arabe – atë që i hapte rrugë dhënies me qira të Plazhit të Madh në Ulqin.

Sipas asaj marrëveshjeje, Mali i Zi do t’ia jepte Plazhin e Madh me qira për 99 vjet kompanisë Emmar të biznesmenit arab, Mohamed Alabbarit, që do të ndërtonte një kompleks megaturistik në Ulqin.
Alabbar ka marrë pjesë edhe në projekte rajonale në Kroaci, Shqipëri dhe në “Beogradin mbi ujë” në Serbi.

Por, Millatoviq, i cili dekretoi Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik, nuk e bëri të njëjtën edhe për Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e turizmit dhe zhvillimit të pasurive të paluajtshme.

Këtë të fundit ai ua ktheu deputetëve për ta votuar sërish.

Që marrëveshjet e nënshkruara nga kryeministri Millojko Spajiq në fund të marsit me zyrtarët e Emirateve të hyjnë në fuqi, Kuvendi i Malit të Zi i miratoi dy ligjet me procedurë të përshpejtuar më 23 prill, me propozim të Qeverisë.

Ato u mbështetën nga deputetët e shumicës parlamentare – lëvizja e Spajiqit “Evropa tani”, partia “Demokracia e Re Serbe” e kryetarit të Kuvendit, Andrija Mandiq, Demokratët dhe Partia Boshnjake.

Ditëve para miratimit, Millatoviq dhe një pjesë e sektorit joqeveritar paralajmëruan se me miratimin e Marrëveshjes për bashkëpunim në turizëm dhe zhvillim të pasurive të paluajtshme po pezullohet Kushtetuta dhe një pjesë e ligjeve të Malit të Zi.

Kthimi i këtij ligji nga Millatoviq e detyron Kuvendin që të votojë sërish për të. Nëse ligji miratohet përsëri, ai do t’i dërgohet sërish Millatoviqit për nënshkrim. Sipas Kushtetutës, në atë rast ai është i detyruar ta nënshkruajë, dhe ligji hyn në fuqi.