
Presidenti i Letonisë: Duhet të largohen masat kufizuese të BE-së ndaj Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë sërish thirrje për heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, ndërsa homologu i saj nga Letonia, Edgars Rinkevics, ka thënë se shteti që udhëheq ai është në të njëjtën linjë.
Ata i kanë bërë këto komente në një konferencë të përbashkët për media në Prishtinë, raporton Rel.
“Duhet të hiqen masat kufizuese, nuk e di nëse do të shënohet përvjetori i dytë i këtyre masave, por qëndrimi i Letonisë është i qartë, masat kufizuese duhet të largohen dhe do ta vazhdojmë të avokojmë për këtë”, ka thënë presidenti i Letonisë.
Blloku evropian pati vendosur masa kufizuese ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023, duke i konsideruar autoritetet e Kosovës fajtore për përshkallëzim të situatës në veri të vendit.
Kosova i konsideron këto masa të padrejta dhe konsideron se i ka plotësuar të gjitha kushtet për heqjen e tyre.
Presidentja Osmani e ka falënderuar shtetin e Letonisë për përkrahjen e vazhdueshme në synimet e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
“Letonia e kupton më së miri pozicionin e Kosovës duke qenë se të dyja vendet tona kanë një të kaluar të dhimbshme dhe shumë të vështirë, dhe kufizohemi me shtete fqinje agresore. Mirëpo, sikurse Letonia, ashtu edhe Kosova, jemi të përkushtuara thellë për vlerat euroatlantike, për parimin e fqinjësisë së mirë, gjithnjë duke ruajtur sovranitetin dhe integritetin tonë territorial”, ka thënë Osmani.
Ajo, po ashtu, ka bërë thirrje që blloku evropian të gjejë mënyra për të avancuar procesin që Kosova të ketë statusin e vendit kandidat.
Përgjatë konferencës, presidenti Rinkevics, ka thënë se vendi i tij do të punojë për avancimin e rrugës së Kosovës në Bashkimin Evropian, ndonëse nuk ka mundur të premtojë se ky vend do të sigurojë këtë vit statusin e vendit kandidat.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE në fund të vitit 2022, por aplikimi i saj nuk është marrë parasysh ende.
“Letonia e mbështet plotësisht integrimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe diskutuam gjerësisht anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe besojmë që ky anëtarësim mund të hapë rrugën edhe për organizata tjera ndërkombëtare”, ka thënë Rinkevics.
Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me dy vendeve në fushën e mbrojtjes.