Presidenti i FFK-së uron djelmoshat e Kombëtares U19 për triumfin historik ndaj Spanjës
Kombëtarja U19 e Kosovës ka shkruar historinë në futbollin e të rinjve, duke mposhtur Spanjën, me rezultatin dramatik 4:3, në një sfidë spektakolare të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Kjo fitore mbresëlënëse vjen në kuadër të ndeshjeve kualifikuese të Grupit 10 për Kampionatin Evropian 2025 dhe konfirmon karakterin luftarak dhe talentin e jashtëzakonshëm të Dardanëve të udhëhequr nga Adil Maliqi.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka uruar djelmoshat e Kombëtares U19 për triumfin historik ndaj Spanjës, kampionit në fuqi të Evropës.
“Fitorja spektakolare 4:3 ndaj një prej gjigantëve më të mëdhenj të futbollit evropian është dëshmi e karakterit, shpirtit luftarak dhe kualitetit të jashtëzakonshëm të kësaj gjenerate. Pas një humbjeje sfiduese ndaj Austrisë, këta djem treguan forcë dhe vendosmëri për t’u rikthyer fuqishëm dhe për të na bërë krenarë të gjithëve”, ka shkruar Ademi në Facebook.
Ai ka theksuar se paraqitja e sotme është jo vetëm një fitore ndaj një emri të madh, por edhe një premtim për të ardhmen e ndritur të futbollit kosovar.
“Jam i bindur se këta djelmosha do të na sjellin edhe më shumë gëzime dhe suksese në të ardhmen. Urime të sinqerta lojtarëve dhe stafit teknik, me në krye Adil Maliqin, për këtë sukses të jashtëzakonshëm! Ju lumtë për zemrën dhe pasionin që e keni dhënë në fushë! Forca Dardanët!”, ka shkruar presidenti Ademi.