Presidenti i FFK-së telegram ngushëllimi për ndarjen nga jeta të mikut të futbollit kosovar, Dieter Burdenski

Presidenti i FFK-së telegram ngushëllimi për ndarjen nga jeta të mikut të futbollit kosovar, Dieter Burdenski

Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të legjendës së futbollit gjerman dhe mikut të çmuar të futbollit kosovar, Dieter Burdenski. Në emër të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe të gjithë komunitetit të futbollit në vendin tonë, shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e çmuan kontributin e tij të jashtëzakonshëm për futbollin.

Dieter Burdenski ishte një përkrahës i palodhur dhe një kontribues i madh për zhvillimin e futbollit kosovar. Ai luajti një rol kyç në senzibilizimin e opinionit ndërkombëtar për pranimin e FFK-së në UEFA dhe FIFA, duke organizuar ndeshje miqësore në Gjermani para anëtarësimit në këto dy organizata së bashku me vëllezrit Shoshi dhe Fekmi Kongjelin, duke sponsorizuar të gjitha shpenzimet e atyre miqësoreve. Burdenski ishte gjithashtu më meritori që dy televizionet publike gjermane ARD dhe ZDF organizuan dokumentarin që ngriti vetëdijen publike për futbollin e Kosovës.

Kontributi i tij nuk do të harrohet kurrë, pasi ai vazhdoi të qëndrojë pranë nesh edhe pas pranimit të FFK-së në institucionet më të larta të futbollit, duke sjellë në Kosovë legjendat më të mëdha të futbollit gjerman në ngjarje të rëndësishme.

Dieter Burdenski, me karrierën e tij të bujshme nga viti 1966 deri në vitin 1989, me mbi 650 ndeshje, 500 prej tyre me Werder Bremen dhe me pjesëmarrje në Kampionatin Evropian dhe Botëror, do të kujtohet jo vetëm si një legjendë e futbollit, por edhe si një mik dhe bashkëpunëtor i madh i Kosovës.

Pata rastin ta njoh nga afër që nga dita e parë si nënpresident i FFK-së dhe vazhdova t’i mbaj kontaktet në vazhdimësi me respekt për kontributin e tij për futbollin e Kosovës.

Përkushtimi dhe dashuria e tij për futbollin dhe për vendin tonë kanë lënë gjurmë të pashlyeshme.

I përjetshëm qoftë kujtimi për të!

Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së