Presidenti i FFK-së takon presidentin e UEFA-s, diskutojnë për forcimin e bashkëpunimit

Presidenti i FFK-së takon presidentin e UEFA-s, diskutojnë për forcimin e bashkëpunimit

Gjatë qëndrimit në Varshavë për ndeshjen e Superkupës së Evropës ndërmjet Real Madrid dhe Atalanta, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka takuar presidentin e UEFA-s, Aleksandër Çeferin.

“Si gjithmonë në evente të tilla, edhe kësaj radhe kishim një mundësi të shkëlqyshme që së bashku të diskutojmë çështje të rëndësishme që lidhen me futbollin në Kosovë dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet FFK-së dhe UEFA-s”, ka shkruar Ademi në “Facebook”.

Ai ka theksuar se përveç temave të zakonshme që prekin futbollin, disktuan edhe për rregullativën e re ligjore të sportit në Kosovë dhe ndërveprimin e institucioneve të Kosovës me Federatën e Futbollit të Kosovës.

“Presidenti Çeferin shprehu përkushtimin e UEFA-s për të mbështetur zhvillimet në futbollin e Kosovës dhe për të siguruar që ato të jenë në përputhje me standardet dhe rregullativat e UEFA-s. Ai më kërkoi që UEFA të jetë e informuar për çdo zhvillim të ri që lidhet me futbollin në vendin tonë”.

“Gjithashtu, presidenti Çeferin bëri të ditur se në momentin e ardhjes së ekipit të administratës së UEFA-s për organizimin e mbledhjes së Komitetit HatTrick, do të dërgohen edhe zyrtarë të cilët do të shqyrtojnë këto zhvillime, por edhe projektet e reja në futbollin kosovar”.

“Presidentit Çeferin i shpreha mirënjohen dhe falënderimet e përzemërta për mbështetjen e madhe që i jep futbollit të Kosovës, me besim të plotë se partneriteti ynë do të vazhdojë të japë frytet e duhura”, ka theksuar presidenti i FFK-së, Agim Ademi.