
Presidenti i FFK-së pret në takim futbollistin Belgin Jashari
Sot, në ambientet e Federatës së Futbollit të Kosovës, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka pritur në takim futbollistin e talentuar Belgin Jashari, i cili së fundmi ishte viktimë e një sulmi të papranueshëm gjatë një ndeshjeje futbolli, ngjarje për të cilën u reagua gjerësisht në opinionin publik dhe nga të gjithë ju dha përkrahje këtij talenti.
Edhe gjatë këtij takimi, Federata e Futbollit e Kosovës edhe një herë ka dënuar fuqishëm çdo formë dhune, teksa vendimet për lëshimet në organizimin e ndeshjes nga klubi vendas tashmë janë marrë, në përputhje me rregulloret e garave.
FFK-ja ka theksuar se është e vendosur që të luftojë pa kompromis çdo akt diskriminues dhe të kujdeset që futbolli të vazhdojë të mbetet një hapësirë e barazisë, respektit dhe bashkimit.
“Ngjarjet me sfond racor, gjinor apo fetar nuk kanë vend në sportin tonë! Belgin, jemi krenarë për forcën dhe qetësinë që ke treguar – dhe do të qëndrojmë gjithmonë në përkrahje Ty dhe të gjithë fëmijëve që po rriten si futbollistë në fushat e futbollit në Kosovë”, ka njoftuar FFK-ja.