Presidenti i EHF-së, Wiederer: Gjinovci do të mbahet mend për kontributin e madh për zhvillimin e hendbollit
Presidenti i Federatës Evropiane të Hendbollit, Michael Wiederer dhe sekretari i përgjithshëm i EHF-së, Martin Hausleitner, kanë dërguar në adresë të presidentit të FHK-së, Eugen Saraçini telegramin e ngushëllimit për Izet Gjinovcin.
Gjinovci, që kishte një jetë në hendboll, u nda nga jeta të hënën paradite. Deri në frymën e fundit ka mbajtur pozitën e sekretarit të përgjithshëm të FHK-së.
Presidenti Wiederer dhe sekretari i përgjithshëm Hausleitner kanë çmuar kontributin e të ndjerit Gjinovci.
“Me shumë tronditje dhe pikëllim, Federata Evropiane e Hendbollit mësoi për ndarjen nga jeta të Izet Gjinovcit. Në këtë kohë pikëllimi, shprehim ngushëllimet tona për familjen, miqtë dhe kolegët e Izetit. Kemi pasur kënaqësinë të njohim Izetin në nivelin profesional dhe ai do të mbahet mend për kontribut të pamatshëm në zhvillimin e hendbollit në Kosovë. Pak kohë më parë ai festoi suksesin e Evropianit U18 në Prishtinë. Kontributi i Izetit në drejtimin dhe mbikëqyrjen e organizimit të ngjarjes ishte thelbësor”, shkruan në telegramin e ngushëllimit të drejtuesve të EHF-së.
“Ai ishte ambasador i vërtetë i sportit dhe ka pasur rol vendimtar në ndërtimin e një themeli të fortë për sportin. Zgjedhja e tij në Gjykatën e Apelit të EHF-së në vitin 2021 dhe aktivitetet e tij të mëvonshme në këtë fushë shumë të rëndësishme, theksuan përkushtimin e tij në përmirësimin e hendbollin në të gjitha nivelet. Izet Gjinovci do të mbahet në mend për cilësitë e tij të admirueshme personale, sidomos për gatishmërinë për të bashkëpunuar me familjen evropiane të hendbollit”, shkruan ndër të tjera në telegramin e ngushëllimit të presidentit dhe sekretarit gjeneral të EHF-së.