Presidenti Biden propozim G7-s: 50 miliardë dollarë kredi për Ukrainën
Presidenti Joe Biden do të përpiqet të bindë udhëheqësit e vendeve më të pasura të botës që të ofrojnë deri në 50 miliardë dollarë kredi për të mbështetur luftën e Ukrainës.
Fondet do të mundësohen nga interesat e pasurive ruse të ngrira në institucionet financiare perëndimore.
Presidenti amerikan dëshiron që homologët e tij në G7 ta miratojnë këtë plan në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë në Apulia të Italisë, që pritet të fillojë në 13 qershor. Por përpara se vendet partnere në G7 të japin mbështetjen, do të duhet të qartësohen shumë prej detajeve të kësaj skeme, i tha Zërit të Amerikës një person në dijeni të planit të presidentit Biden.
Pjesa më e madhe e pasurive ruse me vlerë rreth 280 miliardë dollarë, të ngrira nga institucionet perëndimore pas sulmit në Ukrainë në shkurt 2022, gjenden në Evropë, kryesisht në Belgjikë, Francë dhe Gjermani.
Në prill, presidenti Biden firmosi ligjin që i lejon Uashingtonit të konfiskojë rreth 5 miliardë dollarë pasuri ruse që ishin ngrirë në institucionet financiare amerikane.