Presidenti Biden mban fjalim vjetor në një javë të rëndësishme politike

Presidenti Biden mban fjalim vjetor në një javë të rëndësishme politike

Në Shtetet e Bashkuara, kjo javë është ndër më të rëndësishmet e vitit në politikën presidenciale. Ndërkohë që rezultatet e zgjedhjeve paraprake po forcojnë pozitën e ish-presidentit Donald Trump si kandidat kryesor të Partisë Republikane, Presidenti Joe Biden do të mbajë fjalimin vjetor mbi gjendjen e vendit para Dhomës së Përfaqësuesve që, sipas analistëve, po pritet me vëmendje të veçantë.

Fjalimi i Presidentit Biden këtë vit do të jetë një mundësi për të shpalosur vizionin e tij gjithpërfshirës dhe përparësitë në agjendën e tij politike për zgjedhjet presidenciale, që mbahen në nëntor. Për shumë njerëz, fjalimi mbi gjendjen e vendit ka të bëjë më shumë me stilin se përmbajtjen.

Një anketë e realizuar së fundi nga agjencia e lajmeve The Associated Press dhe Qendra për Hulumtimin e Çështjeve Publike NORC tregon se bëhet fjalë për një garë të ngushtë zgjedhore, gjatë të cilës çështjet si mosha dhe mprehtësia mendore mund të jenë çështje më të rëndësishme se në çfarëdo gare tjetër politike të kohërave moderne.

Sipas anketës, një pjesë e rëndësishme e votuesve amerikanë kanë dyshime për aftësitë mendore të Presidentit 81 vjeçar Biden dhe ish Presidentit 77 vjeçar Trump. Rreth 63 për qind e të anketuarve thonë se nuk kanë besim në aftësitë mendore të zotit Biden për të shërbyer si president, gjë që pritet të shndërrojë fjalimin e tij për gjendjen e vendit në një audicion në kohë reale për një mandat të dytë. Një përqindje e ngjashme, ndonëse pak më e ulët, konsiderojnë se zotit Trump i mungon kujtesa dhe mprehtësia që e kërkon pozita.

Vitin e kaluar Biden mbajti fjalimin për gjendjen në vend para një Kongresi të përçarë. Disa ligjvënës republikanë e ndërprenë atë ose hodhën batuta, në veçanti kur ai veçoi përpjekjet e disa ligjvënësve republikanë për të ndërprerë programin e sigurimeve shëndetësore dhe pensioneve.