Presidenti Ademi viziton LRF-në e Ferizajt: Reformë dhe digjitalizim drejt nivelit të ri të organizimit

Presidenti Ademi viziton LRF-në e Ferizajt: Reformë dhe digjitalizim drejt nivelit të ri të organizimit

Takimet për riorganizimin dhe reformat në Lidhjet Rajonale të Futbolllit, presidenti Agim Ademi i ka vazhduar edhe në Lidhjen Rajonale të Futbollit në Ferizaj.

Edhe në këtë vizitë, kreu i FFK-së shoqërohej nga anëtari i KE-së, Ismajl Ajeti, e të cilët u pritën nga kryetari i LRF-së së Ferizajt, Afrim Haliti, së bashku me bordin dhe administratën e këtij regjioni.

Gjatë takimit, presidenti Ademi përgëzoi administratën e LRF-së së Ferizajt për angazhimin dhe përkushtimin e treguar deri më tani, duke theksuar rëndësinë e reformave që po ndërmerr FFK-ja për të avancuar organizimin e futbollit në të gjitha nivelet.

Ai vuri theks të veçantë tek implementimi i programit të ri të digjitalizimit, që synon lehtësimin e proceseve administrative dhe rritjen e efikasitetit në menaxhimin e aktiviteteve të futbollit.

“LRF e Ferizajt ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin e futbollit të Kosovës dhe me reformat që po zbatojmë, sigurisht se organizimin do ta çojmë në një nivel të ri. Implementimi i digjitalizimit do të thjeshtojë procedurat, do të rrisë transparencën dhe do të ndihmojë shkollat e futbollit dhe klubet e këtij regjioni që të përfitojnë nga teknologjia moderne për të avancuar punën e tyre”, tha presidenti Ademi.

Në takim u diskutua gjithashtu për projekte konkrete që do të përmirësojnë kushtet infrastrukturore dhe mundësitë për zhvillimin e talenteve të reja në këtë rajon.

Kryetari i LRF-së së Ferizajt, Afrim Haliti, i shprehu mirënjohje kreut të FFK-së për punën e bërë në avancimin e infrastrukturës së futbollit në vend dhe për mbështetjen e regjionin e Ferizajt.

Ai theksoi se administrata e këtij regjioni është e gatshme të japë kontribut maksimal për të realizuar objektivat strategjike të FFK-së.