Presidenti Ademi uron për fitore FC 2 Korrikun në UEFA Youth League
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka theksuar se një tjetër paraqitje e shkëlqyeshme e ekipit U19 të FC 2 Korrikut në UEFA Youth League.
Ai ka shkruar në Facebook se skuadra verdhekaltër e mbushur me talente na ofroi emocione të pafundme dhe na bëri krenarë me lojën e treguar në stadiumin “Fadil Vokrri” ndaj kampionit të Irlandës UCD AFC nga Dublini.
“Kampionët tanë nën drejtimin e trajnerit Labinot Haziri dëshmuan edhe një herë talentin dhe potencialin e tyre të jashtëzakonshëm. Dy golat e Lis Berishës, jo vetëm që vulosën fitoren me përmbysje të rezultatit, por na japin shpresa të mëdha që skuadra nga kryeqyteti të vazhdojë rrugëtimin e suksesshëm në këtë garë”.
“Përgëzoj secilin futbollistë të FC 2 Korrikut për shpirtin luftarak, përkushtimin dhe nivelin e lartë në fushën e lojës, si dhe stafin dhe drejtuesit e klubit për punën e shkëlqyeshme me talentet e reja, duke prezantuar kësisoj në mënyrë dinjitoze futbollin kosovar në arenën evropiane. Uroj që këtë epërsi të krijuar kampionët tanë do të arrijnë ta menaxhojnë me maturi në ndeshjen e kthimit në Irlandë dhe të kalojnë në fazën e tretë të kësaj gare”, ka shkruar Ademi.