Presidenti Ademi takon presidentin e ri të Federatës spanjolle, Pedro Rocha
Presidenti Agim Ademi, në kuadër të qëndrimit të tij në Bangkok për Kongresin e 74-t të FIFA-s, ka zhvilluar një takim me presidentin e ri të Federatës së Futbollit të Spanjës, Pedro Rocha.
Në këtë takim tejet miqësor, presidenti Ademi e uroi homologun e tij për zgjedhjen në krye të futbollit spanjoll dhe i dëshiroi suksese gjatë mandatit të tij.
Ademi dhe Rocha diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit të ngushtë mes dy federatave.
Ndonëse në aspektin politik, Spanja, ende nuk e ka njohur zyrtarisht Kosovën, megjithatë në fushën e futbollit, të dyja shtetet janë subjekte të barabarta brenda UEFA-s dhe Spanja në këtë drejtim është treguar korrekte.
Presidenti Ademi shprehu vullnetin e tij dhe të FFK-së për të rritur bashkëpunimin me Federatën spanjolle në shumë aspekte, të cilat do të kontribuonin në zhvillimin e futbollit në vendin tonë.