Presidenti Ademi po merr pjesë në Kongresin e 75-të të FIFA-s në Asunción të Paraguait

Presidenti Ademi po merr pjesë në Kongresin e 75-të të FIFA-s në Asunción të Paraguait

Në Asunción të Paraguait po zhvillohet Kongresi i 75-të i FIFA-s, ngjarje kjo e rëndësishme për futbollin botëror.

Në këtë kongres po merr pjesë edhe delegacioni i Federatës së Futbollit të Kosovës, i përbërë nga presidenti Agim Ademi, nënkryetari Bakir Burri dhe ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm, Markus Wiedner.

Punimet e Kongresit filluan me vonesë, në orën 12:30 sipas kohës lokale, për shkaqe teknike.

Ky kongres përkon me 100-vjetorin e anëtarësimit të Federatës së Futbollit të Paraguait në FIFA, duke e bërë këtë edicion edhe më të veçantë.

Po ashtu, Kongresi i sivjetmë shënon një periudhë të rëndësishme për Amerikën e Jugut në kontekstin e zhvillimeve të mëdha në futbollin global, pasi ky kontinent do të jetë nikoqir i Kupës së Botës për Femra FIFA 2027, si dhe i ndeshjeve festive për 100-vjetorin e Kupës së Botës FIFA në vitin 2030.

Pjesëmarrja e krerëve të FFK-së në këtë Kongres përbën një mundësi të mirë për diskutime dhe forcim të bashkëpunimit me federatat dhe konfederatat e tjera.