Presidenti Ademi bashkë me presidentin Çeferin pjesë e ceremonisë së 90-vjetorit të Federatës së Qipros

Presidenti Ademi bashkë me presidentin Çeferin pjesë e ceremonisë së 90-vjetorit të Federatës së Qipros

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, po merr pjesë në ceremoninë e 90-vjetorit të themelimit të Federatës së Futbollit të Qipros (CFA), ngjarje kjo e rëndësishme që ka mbledhur shumë personalitete të shquara nga bota e futbollit evropian dhe botëror. Në mesin e të ftuarve është edhe presidenti i UEFA-s, Aleksandër Çeferin, i cili edhe një herë dëshmon përkrahjen dhe lidhjet e forta që UEFA ka ndërtuar ndër vite me federatat e saj anëtare.

Edhe gjatë këtij eventi vërehej afërsia e presidentit Çeferin me kreun e FSHF-së, Armand Duka, njëherësh zëvendëspresident i UEFA-s, presidentin Agim Ademi dhe me presidentin e FFM-së, Muamed Sejdini, një raport ky miqësor që është ndërtuar mbi baza të respektit të ndërsjellë dhe të përkushtimit për përparimin e futbollit.

Presidenti Ademi shprehu urimet e tij të përzemërta për Federatën e Futbollit të Qipros në këtë përvjetor jubilar, duke nënvizuar raportet miqësore me kreun e saj, Giorgos Koumas dhe rëndësinë e bashkëpunimit të mëtejmë ndërmjet federatave për një zhvillim të qëndrueshëm të futbollit evropian.