President i FFK-së: Izeti ishte më shumë se një figurë e shquar e hendbollit

President i FFK-së: Izeti ishte më shumë se një figurë e shquar e hendbollit

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka ngushëlluar familjen Gjinovci, me rastin e vdekjes së Izet Gjinovcit, figurë e shquar e hendbollit.

“Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të punëtorit dhe kontribuesit të madh të sportit e në veçanti hendbollit, Izet Gjinovci, andaj më lejoni që në emrin tim dhe të KE të FFK-së dhe komunitetit të futbollit në tërësi të ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të madhe”, ka shkruar Ademi në telegramin ngushëllues.

Telegrami i plotë:

E nderuar Familje Gjinovci,
I nderuar Bord i Federatës së Hendbollit të Kosovës dhe komunitet i hendbollit
Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të punëtorit dhe kontribuesit të madh të sportit e në veçanti hendbollit, Izet Gjinovci, andaj më lejoni që në emrin tim dhe të KE të FFK-së dhe komunitetit të futbollit në tërësi të ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të madhe.
Izeti ishte më shumë se një figurë e shquar e hendbollit. Ai ishte një mik, një bashkëpunëtor i çmuar dhe një shtyllë e fortë e komunitetit tonë sportiv. Me përkushtimin dhe pasionin e tij të pashoq për hendbollin dhe sportin kosovar në përgjithësi, Izeti kontribuoi jashtëzakonisht në zhvillimin, masivizimin dhe ndërkombëtarizimin e këtij sporti.
Nga karriera e tij si hendbollist i dalluar i Prishtinës, e deri te roli i tij si drejtues i klubit, Izeti dha gjithçka për të parë suksesin e hendbollit kosovar. Ai udhëhoqi me vendosmëri dhe vizion Federatën e Hendbollit të Kosovës nga pozita e sekretarit të përgjithshëm, duke e përfaqësuar denjësisht në arenën ndërkombëtare dhe duke kontribuar në pranimin e saj në EHF dhe IHF.
Në këto momente të vështira për ju, ne kujtojmë me respekt dhe nderim të thellë kontributin e pashoq të Izet Gjinovcit, i cili ka sakrifikuar shumë për sportin dhe për vendin tonë. Ai mbetet një shembull frymëzimi për të gjithë.
Në emrin tim personal dhe të Federatës së Futbollit të Kosovës, edhe një herë u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij, miqve, kolegëve dhe gjithë komunitetit të sportit.
Kujtimi për të do të jetojë përgjithmonë në zemrat tona.
Shpirti i tij pushoftë në paqe!
Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së