Presidenca kundërshton propozimin për shtrenjtim të rrymës

Presidenca kundërshton propozimin për shtrenjtim të rrymës

Presidenca e Kosovës ka bërë të ditur të premten se kundërshton propozimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke konsideruar se ai është nuk është në përputhje me kornizën ligjore që obligon Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) që të përkujdeset për mbrojtjen e konsumatorit dhe injoron situatën ekonomike në vend.

Reagimi i Presidencës ka ardhur pas paralajmërimeve të ZRRE-së për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike në vend për rreth 15 për qind muajin e ardhshëm.

“Në vazhdë të një rritjeje potenciale, rikujtojmë se rritja e tarifave nuk mund të bëhet si një proces i izoluar, por duhet të marrë parasysh kontekstin zhvillimor dhe aspektin e mirëqenies në vend. Kjo kërkon një analizë të mirëfilltë të rrethanave duke u fokusuar po ashtu në mbrojtjen e konsumatorëve dhe situatën ekonomike aktuale”, është thënë në komunikatën e Presidencës së Kosovës.

Mes tjerash, në komunikatë është përmendur që ndonëse ndryshimet e propozuara po bëhen me qëllim të rritjes së sigurisë dhe furnizimit me energji në vitin 2025, rritja e çmimit të energjisë elektrike “po parashihet të bëhet në një periudhë kohore kur veçse po ballafaqohemi me çmime të larta të produkteve në treg”.

“Çmimi i energjisë është i lidhur ngushtë me inflacionin, si dhe me koston e jetesës. Prandaj, shprehim shqetësimin tonë për faktin se një rritje e tillë e çmimit të energjisë do të kishte një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të qytetarëve, duke rritur barrën e tyre financiare”, është thënë në komunikatën e Presidencës, e cila është publikuar në ditën e fundit kur ZRRE ka thënë se pranon komentet dhe sugjerimit rreth propozimit për shtrenjtim.