Presidenca e Kosovës thotë se Osmani u pengua në Aeroportin e Shkupit
Presidenca e Kosovës ka akuzuar autoritetet e Maqedonisë së Veriut për shkelje të praktikave ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, duke thënë se gjatë 1 gushtit, presidentes Vjosa Osmani, është tentuar t’i merret telefoni personal nga një pjesëtar i sigurimit të Aeroportit të Shkupit (TAV).
“Presidentja nuk ka lejuar një gjë të tillë, sepse do të ishte shkelje e rëndë”, tha këshilltari politik i Osmani, Bekim Kupina.
Autoritetet maqedonase kanë hedhur poshtë këto akuza të Presidencës kosovare por thanë se kanë nisur hetimet për këtë rast.
Nga kompania TAV thanë se departamenti i sigurisë, në kuadër të përgjegjësive, ka kryer kontroll standard të sigurisë.
Bekim Kupina tha se përkundër se i janë bërë të ditura rregullat diplomatike, “ai [sigurimi] ka tentuar fizikisht ta shtyjë presidenten me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën”.
“Kjo sjellje e zyrtarit maqedonas të aeroportit është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave kur krerët e shtetit udhëtojnë, ata mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike. Në kundërshtim me këto rregulla, pala maqedonase ka marrë çantën personale të dorës së presidentes”, tha Kupina.
Konventa e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike veç tjerash, mbron statusin diplomatik, privilegjet dhe imunitetin e krerëve të shteteve dhe anëtarëve të stafit të tyre në territorin e shteteve të tjera. Në këtë konventë, kur flitet për udhëtimet, thuhet se personave që kanë status diplomatik, dhe stafit të tyre, duhet t’u lejohet lëvizje e lirë.
“Në kundërshtim me këto rregulla, pala maqedonase ka marrë çantën personale të dorës së presidentes. Edhe pse kjo ishte kundër rregullave, ekipi i Presidentes e ka lejuar në mënyrë që Presidentja të hyjë në aeroport, konkretisht në sallën VIP, e cila ishte rezervuar me notë verbale të Ambasadës sonë, siç është praktika për udhëtimet e krerëve të shtetit. Mirëpo, për arsye të sigurisë, në asnjë mënyrë nuk është lejuar që të dorëzohet telefoni personal”.
Sipas tij, sjellje dhe ngjarje të tilla nuk kanë ndodhur në asnjë udhëtim të Osmanit, përfshirë edhe në shtetet mosnjohëse.
“Presidenca e konsideron çdo sulm dhe trajtim të parregullt e në kundërshtim me konventat ndërkombëtare të zyrtarëve të lartë shtetërorë si sulm ndaj vetë shtetit të Kosovës”, tha Kupina.
“Vërehet qartë se në rastin në fjalë kishte tendencë për ta provokuar delegacionin e Republikës së Kosovës dhe për të shkaktuar incident”, tha ai, duke shtuar se për këtë incident është njoftuar kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, “të cilin e falënderojmë për ndihmën e ofruar.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës tha se është informuar për “trajtimin jodinjitoz të presidentes së Republikës së Kosovës” në Aeroportin e Shkupit.