Premiera botërore e “Rrugës” në Kanë

Premiera botërore e “Rrugës” në Kanë

Në Festivalin e Filmit në Kanë është shfaqur premiera e filmit “Rrugës” nga Samir Karahoda dhe djali i tij Mironi, film ky i cili përfaqëson Kosovën për herë të dytë në garën kryesore të festivalit më të rëndësishëm në botë, ka njoftuar MKRS-ja.

Në edicionin e 77-të të këtij festivali, “Rrugës” së bashku me dhjetë filma të tjerë të shkurtër nga e gjithë bota garojnë për palmën a artë të Kanës.

Filmi sjell tregimin e një babai dhe djalit të tij në rrugën e tyre për në aeroport për të marrë një dhuratë të ardhur nga jashtë, e dërguar nga kumbari i djalit. Ndërsa përballen me pengesa burokratike dhe një perspektivë të pakëndshme për ndryshime reale politike dhe sociale në vendin e tyre, ata gjejnë ngushëllim dhe forcë në optimizmin e tyre të përbashkët për të ardhmen.

Në këtë ngjarje të rëndësishme ishin të pranishëm ministri Hajrulla Çeku, ambasadori i Kosovës në Francë, Mehdi Halimi, këshilltarja për Kulturë Rozafa Imami dhe drejtoresha e QKK-së Blerta Zeqiri.