Pranohen me shkrim dëshmitë e nëntë dëshmitarëve në rastin Thaçi dhe të tjerët

Pranohen me shkrim dëshmitë e nëntë dëshmitarëve në rastin Thaçi dhe të tjerët

Gjykata Speciale ka njoftuar se më 10 shtator, trupi gjykues ka pranuar në prova dëshmitë dhe provat materiale shoqëruese me shkrim të 9 dëshmitarëve në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët.

Po ashtu, trupi gjykues ka hedhur poshtë kërkesën në lidhje me dëshmitarin e 10-të, pa paragjykuar të drejtën e Prokurorisë për të paraqitur kërkesë për ta thirrur dëshmitarin të dëshmojë në sallën e gjyqit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Veç kësaj, më 5 shtator, trupi gjykues ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për të lejuar pranimin në prova të disa pjesëve të dëshmisë me shkrim të një dëshmitari dhe për ta lejuar atë të dëshmojë nëpërmjet videokonferencës.

“Trupi Gjykues theksoi se mbrojtja nuk kundërshtoi kërkesën dhe konstatoi se dhënia e dëshmisë nëpërmjet videokonferencës është më e favorshme për mirëqenien e dëshmitarit dhe ndihmon në kryerjen e shpejtë të procesit gjyqësor”, thuhet në njoftim.

Të njëjtën ditë, trupi gjykues ka miratuar një kërkesë të Prokurorisë që dhe dy dëshmitarë të tjerë të japin dëshmi nëpërmjet videokonferencës, meqë kjo është më e favorshme për shëndetin dhe mirëqenien e tyre. Trupi gjykues u bind se dhënia e dëshmisë prej tyre nëpërmjet videokonferencës nuk do t’u shkaktojë dëm të akuzuarve dhe është në përputhje me mbrojtjen e efektshme të të drejtave të tyre.

Seanca e ardhshme në këtë çështje gjyqësore është planifikuar për të hënën, 16 shtator, duke filluar në orën 9:00 paradite.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.