Populli i Kosovës ka dhënë mesazhin e tij se ish udhëheqësit e UÇK-së nuk janë vetëm
Shkruan: Besa Ismaili, ish deputete e Kuvendit të Kosovës
Dje, në Dhomat e Specializuara, në tre minuta e gjysmë dëgjuam nga ish kryetari iKuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli, atë që nuk e dëgjuam dot këto tri vite e gjysmë nga lidershipi politik i Kosovës.
Promovimi i respektimit të parimeve të drejtësisë dhe llogaridhënies, sigurimi i përfaqësimit të duhur ligjor që pala e Kosovës të ketë mbrojtje të drejtë dhe cilësore është përgjegjësi e shtetit të Kosovës.
Opinioni kosovar disa herë është njohtuar për mungesën e fondeve të mjaftueshme për mbrojtjen ligjore të ish udhëheqësve të UÇK-së, dhe është kërkuar kontributi edhe i qytetarëve Parregullsi të shumta janë raportuar në pagesat nën obligimin e ministrisë për vizitat e familjarëve të të akuzuarve.
Anash nga kjo, ka një heshtje dhe ngecje të paspjegueshme në kërkimin e drejtësisë nga Serbia për krimet e kryera në Kosovë.
Po bëhen gati katër vite dhe nuk ka progres në çështjen e personave të pagjetur.
Ish pjesëtarë të UÇK-së janë rrëmbyer gjatë udhëtimeve nëpër Serbi dhe mbahen padrejtësisht në burgje, dhe nuk ka ndonjë angazhim serioz për të ushtruar presion ndaj Serbisë për lirimin e tyre.
Prej shumë vitesh, fushata e egër demonizuese dhe kriminalizuese ndaj udhëheqësve të UÇK-së për hesape elektorale të partive oponente politike, megjithatë nuk ka arritur të përgjumë vigjilencën dhe reagimet e qytetarëve ndaj procesit
që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Mijëra-mijëra qytetarë marshuan në mbrojtje të vlerave të luftës dhe në mbështetje të ish udhëheqësve të UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerët, që u mbajt në Prishtinë më 2 prill 2023.
Koha e stërzgjatur, dëshmitë jo rrallë herë absurde, largimi i mbrojtësve ligjor, ndërprerja dhe kufizimi i vizitave etj. kanë nxitur dyshime për shkarje nga një proces në përputhje me parimet e drejtësisë dhe të të drejtave të njeriut.
Vqzhdimi i këtij procesi të stërzgjatur, [pa paragjykuar përfundimin e tij], ka dëmtuar jo vetëm besueshmërinë për gjykim të drejtë por edhe shtetin e Kosovës, interesat dhe pozicionin e saj në arenën ndërkombëtare.
Narrativat dyshuese, si produkte anësore të këtij procesi ushqejnë publikun ndërkombëtar me rezervime karshi Kosovës edhe në aspektin ekonomik, diplomatik dhe të integrimeve.
Të interesuar për stërzgjatjen e këtij procesi gjyqësor ndaj ish udhëheqësve të UÇK-së nuk duket të jetë vetëm Serbia. Janë edhe ata që këtë betejë ligjore në arenën ndërkombëtare e shohin të personalizuar në individë, dhe jo betejë të Kosovës për historinë dhe të ardhmen e saj.
Populli i Kosovës ka dhënë tashmë mesazhin e tij se ish udhëheqësit e UÇK-së, në misionin e tyre për të mbrojtur të vërtetën historike të Kosovës para Gjykatës Speciale, nuk janë vetëm.
Këtë mesazh duhet të dërgojnë edhe lidershipi politik i Kosovës.