Polonia dhe Ukraina premtojnë përfundimin e mosmarrëveshjeve politike
Liderët e Polonisë dhe Ukrainës u zotuan të hënën të trajtojnë mosmarrëveshjet politike që kanë penguar aleancën e tyre gjatë kohës së luftës dhe të rrisin bashkëpunimin në mbrojtje, teksa pushtimi rus i Ukrainës po shkon drejt vitit të tretë.
Në vizitën e tij të parë në Ukrainën fqinje si kryeministër, Donald Tusk i Polonisë i dha një mesazh miqësie presidentit Volodymyr Zelensky dhe tha se të dyja palët “kanë arritur një mirëkuptim të përbashkët” mbi protestat e fermerëve polakë dhe kamionistëve.
“Polonia do të bëjë gjithçka për të rritur shanset e Ukrainës për fitore në këtë luftë”, tha Tusk në një konferencë të përbashkët për media.
Varshava u bë një aleat kyç për Kievin pasi kërkoi mbështetje financiare dhe ushtarake perëndimore kundër Rusisë, por marrëdhëniet u përkeqësuan muajt e fundit kur bllokadat në kufi dëmtuan ekonominë e Ukrainës.
Kamionistët ranë dakord javën e kaluar të pezullojnë protestat e tyre, të cilat kishin për qëllim revokimin e aksesit pa leje të kamionistëve ukrainas në Bashkimin Evropian, deri më 1 mars.
Varshava dhe Kievi kanë qenë gjithashtu në mosmarrëveshje për eksportet e grurit të Ukrainës në Poloni dhe në pjesën tjetër të Bashkimit Evropian.
“Ne e kuptojmë thellësinë e arsyeve që çuan në këtë lloj situate, por tërheqim vëmendjen para së gjithash për thellësinë e kërcënimit që qëndron përpara popujve tanë,” tha Zelensky, duke shtuar se ai përshëndeti punën e Varshavës për këtë çështje, shkruan Reuters