​Politologu boshnjak: Lajçak bëri punë jo të mirë në dialog

​Politologu boshnjak: Lajçak bëri punë jo të mirë në dialog

Politologu boshnjak, Jasmin Mujanoviq, thotë se ish-presidenti slloven, Borut Pahor, është kandidati më i mundshëm për të zëvendësuar Miroslav Lajçak, në pozitën e të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

Sipas tij, Pahor do të ishte i preferueshëm nga të dy palët dhe në bazë të përvojës së tij do t’i kontribonte procesit të dialogut.

Ai në një intervistë për KosovaPress, kritikon ndërmjetësin aktual, Miroslav Lajçak se nuk ka bërë punë të mirë në dialog dhe se ka qenë i anshëm.

Analisti boshnjak, thekson se dialogu aktual ka ngecur për fajin e Serbisë, e cila nuk zbaton marrëveshjet e arritura. Mirëpo shton se as Bashkimi Evropian nuk ka leva për të çuar përpara procesin.

” Po na thuhet se zoti Pahor nga Sllovenia dëshiron këtë detyrë(përfaqësues i BE-së për dialogun)që ai është ndoshta kandidati më i mundshëm. Sigurisht që ai do të ishte i preferueshëm. Zoti Lajçak ka bërë një punë jo të mirë. Ka një problem themelor strukturor për shkak që ai vjen nga një vend që nuk e njeh (Kosovën), mendoj se kjo ishte thellësisht e papërshtatshme. Ai ka treguar herë pas here se duket se ka një shkallë të çuditshme simpatie për Serbinë në lidhje me të gjitha këto bisedime. Vetëm pak ditë më parë, ai pati një takim me Milorad Dodik nga Bosnja, më pak se 24 orë pasi Dodik tha se ishte i përgatitur të largohej nga Bosnja Hercegovina, kështu që (Lajcakut) i mungon besueshmëria për të qenë dikush që mund të ndërmjetësojë këtë proces. Pra, në këtë pikë, unë jam i gatshëm të them se pothuajse çdokush do të bënte një punë më të mirë se Miroslav Lajçak. Por përsëri, në të njëjtën kohë, çdo pasardhës i Lajçakut do të ketë shumë pak mjete në dispozicion, sepse vetë besueshmëria e BE-së në aspektin e dialogut Kosovë-Serbi, por edhe Ballkani Perëndimor në përgjithësi është thellësisht i komprometuar sepse disa nga shtetet e saj anëtare kanë pozicione shumë, shumë problematike ndaj rajonit, para së gjithash Hungaria. Pra, vetë BE-ja, mendoj se është në një pozitë të keqe dhe nuk ka shumë leva për ta çuar përpara këtë proces”, thotë ai.