Politika populiste e Kurtit ia ka prishë mendjen miletit dhe po i prishë themelet shtetit

Politika populiste e Kurtit ia ka prishë mendjen miletit dhe po i prishë themelet shtetit

Shkruan: Milazim Krasniqi 

1. Polemikat populiste të Kurtit me të huajt e shtojnë popullaritetin e tij në sytë e publikut (miletit.) Ata duan të shohin lider të fortë, që demek ua rrahë tavolinën të fortëve të botës, grenellave, eskobarave, borellave…
2. Presioni populist ndaj pakicës që perceptohet si armiqësore, në rastin e Kosovës ndaj serbëve, e shton popullaritetin e qeverisë në sytë e njerëzve që bartin trauma nga e kaluara e hidhur dhe që hakmarrjen e shohin më të rëndësishme se sa interesin shtetëror.
3. Përçmimi populist i opozitës (psh. me shprehjet si “me koordinim e pa koordinim) e rritë popullaritetin e qeverisë në sytë e militantëve të partisë në pushtet, që kanë komplekse të hershme inferioriteti.
4. Konfrontimi populist me sindikatat, (psh me SBASHKun dhe me punëtorët e Trepçës) e rritë popullaritetin e qeverisë në sytë e shumicës e injorantëve së papunë, që i urrejnë ata që janë në punë.
5. Nxitja e presionit të fshehtë, me masha pseudopatriotike, ndaj një komuniteti fetar, (psh ndaj shqiptarëve muslimanëve në Kosovë) synon që me anën e frikësimit, t’i mbajë në vathën e vet elektorale, meqë ata me naivitetin e vet edhe e kanë ndihmuar të vijë në pushtet.
6. Eliminimi periodik i disa figurave nga rangjet qeveritare ose partiake, (psh Haki Abazi) sjellë popullaritet në sytë e militantëve sadist, që për qejf skenën politike do ta shndërronin në Koloseum, ku luftojnë gladiatorët.
7. Konflikti me mediet, sjellë simpatinë e një pjese të frustruar të publikut, sidomos të analfabetëve funskionalë, të cilët nuk e dinë se media është pushtet më vete.
Konkludim: të gjitha këto veprime duket sikur e forcojnë qeverinë, por në realitet e dëmtojnë rëndë shtetin. Pastaj me rënien e një qeverie të tillë, kurdo që ajo bie, shteti duhet t’ia nisë përpjekjes që të forcohet, nga e para. Nëse mbijeton, natyrisht. Ndërsa miletit i mbetet të mos bëjë gabimin e njëjtë, nëse nuk dëshiron të vuajë më shumë.