Policia turke arreston 210 persona në protestat e 1 Majit në Stamboll

Policia turke arreston 210 persona në protestat e 1 Majit në Stamboll

Policia në Stamboll ka përdorur gaz lotsjellës dhe plumba gome për të shpërndarë protestuesit që u përpoqën të çanin një barrikadë për të arritur në sheshin “Taksim” të qytetit në kundërshtim me ndalimin e mbajtjes së tubimeve më 1 Maj.

Ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya, tha se 210 persona u arrestuan të mërkurën.

Më shumë se 40,000 policë u vendosën në të gjithë qytetin, duke bllokuar edhe rrugë të vogla anësore me barriera metalike, pasi presidenti Recep Tayiip Erdogan, tha në prag të 1 Majit se protestat vjetore nuk do të lejohen të zhvillohen në shesh.

Barriera të larta metalike u vendosën rreth sheshit – një pikë qendrore tradicionale e protestave në Stamboll, ku autoritetet kanë ndaluar tubimet që nga viti 2013, kur ishte në qendër të protestave kundër qeverisë së Erdoganit.

Policia u përlesh me demonstruesit pranë bashkisë së qytetit në rrethin Sarachane, duke gjuajtur gaz lotsjellës dhe plumba gome për të ndaluar protestuesit të shkelin barrikadat, raportoi agjencia e lajmeve AFP, shkruan Al Jazeera.