Policia thotë se në veri gjeti letra ngjitëse me përmbajtje nacionaliste

Policia thotë se në veri gjeti letra ngjitëse me përmbajtje nacionaliste

Një i mitur është arrestuar në Mitrovicë të Veriut – dhe më pas është liruar – pasi sipas Policisë së Kosovës, ai u kap në flagrancë duke vendosur letra ngjitëse me përmbajtje nacionaliste.

“Gjatë kontrollit te i dyshuari janë gjetur 83 stikera [letra ngjitëse]”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Letrat ngjitëse janë të tifozëve, Delije, të ekipit serb të futbollit, Cërverna Zvezda (Ylli i Kuq).

Autoritetet e sigurisë thanë po ashtu se për këtë rast u arrestuan edhe katër të mitur të tjerë, në shtëpitë e të cilëve u gjetën dhe u sekuestruan “dëshmi që ndërlidhen me rastin”.

“Me vendim të prokurorit pas intervistimit të dyshuarit janë liruar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, u tha në njoftim.