Policia merr një parcelë që përdorej nga institucionet serbe në Mitrovicë të Veriut

Policia merr një parcelë që përdorej nga institucionet serbe në Mitrovicë të Veriut

Anëtarët e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut kanë miratuar propozimin për ndarjen e një parcele prej 27.400 metrash katrorë për Policinë e Kosovës, me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.

Sipas informacioneve të Radios Evropa e Lirë, në atë hapësirë janë të vendosura Ndërmarrja Publike “Standard”, Ndërmarrja Publike e Ujësjellësit dhe Autoriteti i Përkohshëm Komunal.

Të gjitha këto institucione punojnë sipas sistemit serb.

Kryetari i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanin, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se parcela që i është dhënë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës ka disa objekte ku janë të vendosura institucionet serbe si dhe një sallë sportive, e cila është ndërtuar me fondet e BE-së.

Ai tha se MPB-së i është dhënë “vetëm një parcelë”, por konkretisht nuk ka mundur të përgjigjet se çfarë do të ndodhë me objektet ekzistuese.

Uglanin tha se sipas njohurive të tij, në parcelën e lartpërmendur është planifikuar të ndërtohet një stacion policor, sepse ky i tanishëm ndodhet në një objekt që i përket minierës së Trepçës.

“Në bazë të ligjit kemi votuar për shfrytëzimin e tokës, objektet nuk përmenden fare. Kjo o keqpërdoret gjoja se kemi votuar për shembjen e objekteve”, tha ai.

Sipas tij, nuk është shkelur ligji me faktin se parcela i është dhënë MPB-së pa dëgjim publik dhe shtoi se as ish-Kuvendi Komunal nga radhët e Listës Serbe nuk ka mbajtur seanca publike gjatë marrjes së vendimeve.

Nuk ka pasur asnjë debat apo diskutim publik për ndërtimin e financuar nga Serbia, veçanërisht për objektin e banimit në Mëhallën e Boshnjakëve, por ishte një zgjidhje e imponuar”, tha ai.