Policia e mbyll një komunë paralele serbe të Skenderajt në veri
Autoritetet e Kosovës e kanë mbyllur të mërkurën një komunë paralele serbe të Skenderaj në veri të vendit, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Kjo komunë paralele ishte vendosur në një ndërtesë në Mitrovicën e Veriut, për t’iu ofruar shërbime kryesisht pjesëtarëve të komunitetit serb nga fshatrat Bajë dhe Suhogërll nga komuna e Skenderajt.
Të mërkurën vonë, Policia e Kosovës tha se zyrtarët e saj kishin vërejtur gjatë patrullimit në veri “persona të panjohur të cilët po frekuentonin një zyre” dhe se pas “verifikimit të personit përgjegjës është identifikuar se kjo zyre vepron si pjesë e strukturave ilegale dhe është përgjegjëse” për komunën e Skenderajt.
Ajo tha se, me urdhër të prokurorit, zyra është mbyllur dhe nga ajo janë sekuestruar prova dhe materiale të tjera, ndërsa personat përgjegjës do të intervistohen.
“Sipas autorizimit të prokurorit, policia është duke kryer veprimet përkatëse për intervistimin e personave të identifikuar dhe ekzaminimin e provave materiale”, tha ajo.
Mbylljen e kësaj komune paralele, e njohur si Autoriteti i Përkohshëm Komunal i Sërbicës, e ka konfirmuar edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, duke theksuar se punëtorët janë “përzënë” me arsyetimin se janë marrë me “veprimtari të paligjshme dhe antikushtetuese”.
“Një veprim i tillë është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me të gjitha marrëveshjet dhe dialogun e vazhdueshëm dhe tregon se e vetmja gjë që di [kryeministri i Kosovës Albin] Kurti është të udhëheqë politikën e mbylljeve dhe bllokadave”, tha ajo.
Autoritetet e Kosovës i cilësojnë si të paligjshme institucionet që punojnë në sistemin serb në Kosovë dhe nisën t’i mbyllin ato në fillim të vitit 2024, duke nxitur kundërshtime të mëdha nga serbët lokalë, si dhe kritika nga bashkësia ndërkombëtare, e cila beson se vendimet e tilla të “pakoordinuara” mund të nxisë tensione.