Policia e Kosovës ua uron fëmijëve 1 Qershorin
Policia e Kosovës, në bashkëpunim e koordinim me institucione tjera, ka realizuar aktivitete për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve.
Festimet qendrore, janë realizuar sot më 1 qershor, në sheshet e Prishtinës ku me organizime të shumta është shënuar kjo ditë e rëndësishme për fëmijët.
Policia e Kosovës takoi qindra fëmijë ditën e sotme, dhe iu ka shpërndarë fletushka të përgatitura nga policia me porosi të rëndësishme për ta.
“Në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë, qysh nga ora 11:00, njësi të ndryshme policore kanë takuar me qindra fëmijë. Fëmijëve u janë shpërndarë fletushka të përgatitura nga policia me porosi të rëndësishme për ta. Fletushkat kishin përmbajtje të ndryshme, duke filluar nga fletushka ‘Unë mbrohem me ligj’ që ofron sqarime rreth ‘Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve’ (fletushkë e shtypur në tri gjuhët), fletushka tjera për sigurinë në trafik, po ashtu u shpërndan edhe shumë rekuizita tjera me logo të policisë”, thuhet në njoftimin e policisë.
“Më pas, nga ora 12:00, duke filluar nga ‘Sheshi Skënderbe’, e duke vazhduar për në ‘Sheshin Zahir Pajaziti’, policia ishte pjesë e paradës së bashku me fëmijët. Qindra fëmijë u fotografuan me zyrtarë policorë dhe afër pajisjeve policore”.
“Me këtë rast Policia e Kosovës, të gjithë fëmijëve u uron këtë ditë, me dëshirën që të gjithë ata të kenë shëndet e shumë suksese në mësime!”.