Policia e Kosovës thotë se vazhdon të trajnohet edhe nga ShBA-ja

Policia e Kosovës thotë se vazhdon të trajnohet edhe nga ShBA-ja

Policia e Kosovës tha se pjesëtarët e saj vazhdojnë të trajnohen nga partnerë të ndryshëm vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara.

Reagimi pasoi raportimet e disa mediave në Kosovë se ShBA-ja i ka ndërprerë për një kohë trajnimet e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, si “formë e sanksionimit”, pas mbylljes së disa komunave paralele serbe në veri të vendit.

“Radio Evropa e Lirë” kërkoi konfirmim nga Ambasada amerikane në Prishtinë dhe Departamenti amerikan i Shtetit, por nuk mori përgjigje.

Ngjashëm, kërkesës për koment nuk iu përgjigjën as në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës.

“Me kërkesë të ShBA-së për pjesëmarrje në trajnime në ShBA, Policia e Kosovës në vazhdimësi, por edhe tani këtë javë ka nominuar zyrtarët e saj për pjesëmarrje në trajnime në ShBA”, thuhet në njoftimin e policisë.

Aty, po ashtu, theksohet se Policia e Kosovës i merr “me shumë seriozitet” deklarimet e Ambasadës amerikane në Prishtinë që ndërlidhen me fushën e sigurisë dhe institucionin e Policisë dhe se “është e gatshme të procedojë gjithçka që është e nevojshme” për të ruajtur partneritetin me ShBA-në.

Në një deklaratë për media, të lëshuar më 30 gusht, Ambasada amerikane tha se Qeveria e Kosovës “instrumentalizon” Policinë për të kryer veprime të pakoordinuara.

Reagimi i saj erdhi në ditën kur autoritetet e Kosovës mbyllën disa institucione në veri të vendit – zonë e banuar me shumicë serbe – me arsyetimin se funksiononin jashtëligjshëm.

Mbyllja e tyre shkaktoi reagime të ashpra nga bashkësia ndërkombëtare, e cila kërkon nga Kosova që çështjet që lidhen me situatën në veri, t’i trajtojë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

I pyetur për pretendimet e Ambasadës amerikane, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë” këtë javë se “Policia e Kosovës, si çdo polici tjetër në vendet demokratike, ka autorizime për veprimet e saj dhe ka edhe mbikëqyrje”.
“Askund më i fortë dhe më vigjilent se në veri të Kosovës nuk është Inspektorati Policor i Kosovës”, tha Sveçla.