
Policia e Kosovës pranon disa pajisje elektronike nga qeveria britaneze
Sot, në hapësirat e Drejtorisë së Përgjithshme, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Fehmi Hoti me bashkëpunëtorë, priti në takim znj. Margaret Belof nga Ambasada Britaneze, si dhe udhëheqësen e ekipit të ekspertëve të GCSI-së, znj. Helen Legay me bashkëpunëtorë.
Kjo ceremoni shënon edhe një tjetër hap të bashkëpunimit të vazhdueshëm në mes të Policisë së Kosovës dhe Qeverisë Britanike, ku në kuadër të projektit për komunikim strategjik pas trajnimeve dhe vizitës studimore të realizuar kohë më parë, Drejtoria për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun, sot pranoi një donacion me pajisje elektronike në vlerë rreth 10,000 eurosh.
Po ashtu në këtë ceremoni u bë edhe lansimi i Manualit për Komunikim, i cili do të shërbejë si një udhëzues i rëndësishëm për avancimin e komunikimit si dhe ofron praktikat më të mira për komunikim me publikun.
Zëvendësdrejtori Hoti falënderoi Qeverinë dhe Ambasadën Britanike për mbështetjen e tyre të vazhdueshme në forcimin e kapaciteteve të Policisë së Kosovës, e në veçanti në fushën e komunikimit si një fushë jetike në mjedisin e sotëm të informacionit, ku komunikimi i qartë, i saktë dhe në kohë është thelbësor për besimin dhe sigurinë publike.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për të forcuar më tej strategjitë e komunikimit, për të mësuar nga praktikat më të mira ndërkombëtare jo vetëm në fushën e komunikimit dhe për t’u siguruar që Policia e Kosovës të vazhdojë të udhëheqë me profesionalizëm, integritet dhe transparencë.