Policia e Kosovës dhe Universiteti Policor i Brandenburgut fuqizojnë bashkëpunimin

Policia e Kosovës dhe Universiteti Policor i Brandenburgut fuqizojnë bashkëpunimin

Policia e Kosovës është duke zhvilluar një program ndërkombëtar intershipi në bashkëpunim me Universitetin Policor të Brandenburgut nga Gjermania, i cili po realizohet gjatë periudhës 09–20 qershor 2025, ku përmes këtij programi i cili përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e sigurisë publike dhe zhvillimit profesional të zyrtarëve policorë, përfshihen aktivitete gjithëpërfshirëse si: prezantime institucionale, shkëmbim përvojash dhe angazhim në aktivitete praktike të zbatimit të ligjit, përfshirë edhe përdorimin e teknologjive të avancuara për patrullim inteligjent me vetura të mençura dhe pajisje digjitale moderne.

Gjatë këtij programi janë realizuar vizita dhe takime me institucione të tjera kyçe të sistemit të sigurisë, duke mundësuar njohjen me modelet funksionale dhe ndarjen e praktikave më të mira. Ky program i ndërsjellë synon forcimin e partneritetit profesional dhe institucional, promovon qasje bashkëkohore të menaxhimit policor dhe kontribuon në ndërtimin e një kulture të qëndrueshme bashkëpunimi ndërkombëtar.

Policia e Kosovës dhe Universiteti Policor i Brandenburgut shprehin përkushtimin e tyre për vazhdimin e bashkëpunimeve strategjike në funksion të përmirësimit të vazhdueshëm të shërbimeve policore, në interes të sigurisë publike dhe forcimit të besimit të qytetarëve në institucionet e rendit.