Policia arreston një të dyshuar pasi gjen një punishte armësh në veri

Policia arreston një të dyshuar pasi gjen një punishte armësh në veri

Autoritetet kosovare kanë sekuestruar armë dhe kanë arrestuar një të dyshuar për importin dhe eksportimin e armëve, gjatë një bastisjeje në disa lokacione në veri të Kosovës, njoftoi të mërkurën Sistemi Prokurorial i Kosovës.

Policia ka gjetur një punishte të armëve në Mitrovicën e Veriut, e banuar me shumicë serbe, ku sekuestroi “sasi armatimi, pjesë të ndryshme të armëve, makina që janë përdorur në ndërhyrje në armë”, thuhet në njoftim.

Bastisjet u kryen nga Policia e Kosovës, Prokuroria Themelore në Mitrovicë dhe Drejtoria kundër Krimit të Organizuar në Prishtinë, me urdhër të gjykatës.

I dyshuari, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, është dërguar në mbajtje dhe akuzohet për disa vepra penale, përfshirë importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve, apo materieve plasëse, si dhe për armëmbajtje pa leje.

Autoritetet e sigurisë nuk dhanë më shumë hollësi në lidhje me atë se nga cilat vende apo se në cilat vendet mund të ketë importuar dhe eksportuar armë i dyshuari.

Në të kaluarën, Policia e Kosovës ka gjetur dhe konfiskuar armatim kohë pas kohe, veçanërisht në veri të vendit.
Më mars, autoritetet i arrestuan 16 të dyshuar, përfshirë një zyrtar policor, për kontrabandë me armë gjatë një operacioni të gjerë policor në jug dhe veri të Kosovës.