Policia arreston 8 të dyshuar, konfiskon armatim e eksploziv pas sulmit në Ibër-Lepenc

Policia arreston 8 të dyshuar, konfiskon armatim e eksploziv pas sulmit në Ibër-Lepenc

Autoritetet Kosovare i kanë arrestuar tetë të dyshuar dhe kanë konfiskuar armatim, përfshirë eksploziv, pas një operacioni të gjerë në veri në lidhje me një shpërthim në kanalin e Ibër-Lepencit në këtë pjesë të Kosovës, njoftoi të shtunën ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.

Shpërthimi mbrëmjen e së premtes i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, duke i nxitur autoritetet kosovare ta akuzojnë Serbinë për sulm “kriminal dhe terrorist” ndaj infrastrukturës jetike të vendit.

Duke folur në një konferencë të jashtëzakonshme për media në Mitrovicën e Jugut, Sveçla tha se shpërthimi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, i cili furnizon disa pjesë të vendit me ujë, ishte më i rëndi ndaj infrastrukturës kritike të vendit që pas luftës në Kosovë më 1998-1999.

“Ky sulm terrorist nuk është sulm i rëndomtë, por i bashkërenduar nga organizatat terroriste… synimi ka qenë që dëmi të jetë maksimal ndaj shtetit të Kosovës dhe qytetarët të tij”, tha ai.

Të arrestuarit dyshohen edhe për lidhje dhe nxitje të sulmeve të fundit në veri të vendit gjatë kësaj jave, si sulmi me granata dore në stacionin policor dhe në ndërtesën e Komunës në Zveçan, tha Sveçla.

Autoritetet e sigurisë së Kosovës, përfshirë Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), kanë kryer një operacion të gjerë të shtunën në 10 lokacione, tha Sveçla.

“Kontrolli ka rezultuar me konfiskimin e një arsenali armesh dhe municioni, eksplozivit, pajisjeje të ndryshme, përfshirë emblema e qindra uniforma e pajisje ushtarake. Këto do të shërbejnë si dëshmi për këto akte kriminale”, tha Sveçla.

Sveçla tha se shumica dërrmuese e armatimit dhe pajisjeve të tjera të konfiskuara janë “prodhim serb” dhe se një pjesë e madhe e tyre janë “pajisje ekskluzivisht ushtarake” që nuk mund të gjendet lehtë në tregun e zi.

Eksplozivi i përdorur në sulmin ndaj kanalit “është e pamundur të gjendet, nëse nuk furnizohet drejtpërdrejt nga depot e ushtrisë”, u përgjigj Sveçla pasi u pyet se si ka mundur të futet një sasi kaq e madhe eksplozivi në atë pjesë të vendit.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, duke folur në konferencën e përbashkët me ministrin e Sveçla, tha se është përdorur eksploziv deri në 20 kilogramë në sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit.

“Në bazë të hetimeve në vendin e ngjarjes, për ta kryer këtë sulm terrorist dyshohet se janë përdorur një sasi e madhe e eksplozivit prej 15 deri në 20 kilogramë. Eksplozivi ishte vendosur në një çantë të zezë dhe është aktivizuar me detonator mekanik, përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme”, tha Hoxha.

Fjalimi drejtorit të përgjithshëm Kolonel Gazmend Hoxha

Siç jeni të njoftuar gjatë muajve të fundit, Institucionet e Republikës së Kosovës dhe qytetarët e saj, janë duke u sfiduar nga individ dhe grupe të caktuara kriminale dhe terroriste, të cilat me përdorimin e akteve të dhunës, kanë për qëllim që të kërcënojnë dhe cenojnë Sigurinë dhe Rendin Juridik të Republikës së Kosovës.

Vetëm në gjashtëmujorin e fundit, përkatësisht që nga muaji Qershor 2024, në komunat me shumicë Serbe në veri të vendit, janë evidentuar 10 raste të sulmeve me mjete shpërthyese, të cilat ishin të drejtuara ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa dallim etniteti, pronës së tyre, ndaj institucioneve legjitime të Republikës së Kosovës, si dhe ndaj infrastrukturës kritike të Republikës së Kosovës.

Ndër rastet më serioze që kanë kërcënuar seriozisht sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, e të cilat nga institucionet e drejtësisë janë kualifikuar si sulme terroriste apo Kryerje e Veprës Terroriste, duhet veçuar:

26.11.2024 – Rasti i sulmit terrorist me dy granata dore ndaj Stacionit Policor në Zveqan, që si pasojë e këtij sulmi terrorist janë shkaktuar dëme të konsiderueshme material në objektin e Policisë dhe pronën e saj, duke rrezikuar seriozisht edhe jetën e zyrtarëve policorë, që ishin në detyrë në momentin e sulmit. 28.11.2024 – Rasti i sulmit terrorist me granatë dore në objektin e Komunës në Zveqan, që si pasojë e të cilit sulm janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në objektin e Komunës, por edhe të veturave të parkuara përreth. 29.11.2024 – Rasti i sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike të Republikës së Kosovës, në fshatin Varage / Ugjlare, Zubin Potok, që kishte për shënjestër kanalin e Ibër Lepencit, i cili bënë furnizimin me ujë të pijshëm të disa komunave, por edhe mbi të gjitha furnizimin me ujë për ftohje të termocentraleve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). Për realizimin e këtij sulmi terrorist, në bazë të hetimit të vendit të ngjarjes, dyshohet që në këtë sulm është përdorur një sasi e konsiderueshme e eksplozivit (rreth 20 kg) e cila ka qenë e vendosur në një çantë të zezë dhe e cila është aktivizuar me detonator mekanik përmes fitilit ndezës, me djegie të ngadalshme. Si pasojë e këtij sulmi, janë shkaktuar dëme të mëdha materiale në kanalin e Ibër Lepencit, si pasojë e të cilave është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm për shumë zona dhe lokalitete, si dhe duke rrezikuar tej mase edhe furnizimin me energji elektrike apo edhe rrezikun me pasoja më të rënda për avari në Sistemin Energjetik të Republikës së Kosovës.

Këto raste të sulmeve terroriste, e posaçërisht rasti i sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike, për nga mënyra e organizimit dhe ekzekutimit të tyre, por edhe identifikimit dhe shenjës trimit të caqeve të sulmeve, është e qartë që kemi të bëjmë me një grup mirë të organizuar dhe të cilët kanë njohuri dhe shkathtësi në përdorimin e mjeteve shpërthyese.

Në bazë të hetimeve intensive të ndërmarra nga njësitë relevante të Policisë së Kosovës, në bashkëpunim edhe me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, janë identifikuar disa persona si të dyshuar të mundshëm, përkatësisht nxitës të akteve të dhunës, organizator apo edhe ekzekutues të këtyre sulmeve terroriste, e posaçërisht të ditëve të fundit.

Njësitë relevante të Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, që nga mëngjesi i sotëm (30/11/2024) kanë ndërmarrë operacion për zbatimin e kontrolleve në (10) lokacione, si dhe janë shoqëruar në Polici për procedura të mëtutjeshme tetë (8) të dyshuar të mundshëm, ndaj të cilëve në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale dhe institucionet e drejtësisë do të ndërmerren veprimet ligjore, dhe duke respektuar të drejtat themelore të njeriut.

Si rezultat i zbatimit të këtyre kontrolleve janë sekuestruar prova të shumta materiale, që mund të ndërlidhen me këto raste, apo edhe me raste tjera që janë duke u trajtuar nga Policia e Kosovës, si:

Mbi 200 uniforma ushtarake Gjashtë (6) raketahedhës dore (Zolla), prej të cilave tri (3) të përdorura Tri (3) granata dore Dy (2) armë automatike AK-47 Një (1) Revole Municion të kalibrave të ndryshëm Pjesë të armëve Fitila ndezës për inicim të lëndëve plasëse Helmeta ushtarake Maska Thika Të holla (Euro dhe Dinar) Pajisje elektronike etj,

Po ashtu në një rast të ndarë, në Zveqan, Policia e Kosovës ka gjetur të fshehura një sasi të konsiderueshme të armatimit dhe gjësendeve tjera, si:

Dy (2) armë automatike AK-47 Tri (3) revole Një armë e gjuetisë Dy (2) armë rekreative (airsoft – imitim i armëve të vërteta) Gjashtë (6) karikatorë të armës AK-47 Municion të kalibrave të ndryshëm Uniforma ushtarake Pjesë e sipërme e uniformës së Policisë së Kosovës me emblema (xhaketë)

Policia e Kosovës, mbetet e përkushtuar që të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe pasurisë së tyre pa dallim, përmes parandalimit të çfarëdo forme të kriminalitetit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë personave që kanë kryer vepra penale, gjithmonë duke respektuar aktet ligjore dhe normative dhe duke garantuar të drejtat themelore të njeriut.

Shfrytëzoj rastin, që të ftoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që për çfarëdo informacione që mund të kenë për këto raste apo edhe për vepra tjera penale, që të kontaktojnë Policinë e Kosovës, pasi që vetëm me një bashkëpunim të ngushtë Polici – qytetar do mund të jemi më efikas në përmbushjen e misionit të shenjtë të Policisë së Kosovës, në ofrimin e sigurisë për qytetarët në Republikën e Kosovës.