
Pogba mes emocionesh flet për rikthimin e shumëpritur në futboll
Paul Pogba i vitit 2025 është një person ndryshe nga e kaluara.
Flet me zë të ulët, me qetësi dhe një buzëqeshje të lehta, ndërsa duket larg imazhit të lojtarit spektakolar dhe të personalitetit prej “gangsterit” që e ka karakterizuar në vitet e tij më të mira.
“Mbi të gjitha, mezi pres të kthehem dhe të luaj futboll”, thotë futbollisti francez në një intervistë për “GQ France” me një emocion të qartë në zërin e tij, përcjell “Gazeta Express”.
“E dini, ka kaluar aq shumë kohë që kur nuk kam luajtur”, vazhdoi ai.
I lindur në vitin 1993, Pogba e kaloi një vit mjaft të vështirë më 2024 me shkëputje të kontratës me Juventusin në muajin nëntor, ndërsa tash është i lirë të nënshkruajë me cilindo klub.
Një situatë jo fort e lehtë për një lojtar të kalibrit të tij, i cili jo shumë vite më parë konsiderohej si njëri prej mesfushorëve më të talentuar në botë.
“Nuk e kisha imagjinuar kurrë më parë që do ta gjeja veten si një lojtar i lirë në këtë periudhë të sezonit. Nuk e kam përjetuar kurrë më parë një gjë të tillë”, shtoi ish-përfaqësuesi francez.
Me të ardhmen e tij profesioniste ende pezull, Pogba ka shumë opsione përpara tij.
“Sot kam shumë propozime, vijnë ngado”, thekson tutje ish-futbollisti i Manchester Unitedit dhe Juventusit, duke i mbajtur sekrete ofertat që i kanë ardhur.
Marseille, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Lindja e Mesme, Premierliga? Tash për tash, gjithçka është e paqartë dhe ai preferon të mos i japë shumë rëndësi asnjë destinacioni.
“Dua t’i shoh se çka do të më tërheq dhe më përshtatet më shumë. Sepse jam në një periudhë kyçe të jetës sime dhe të karrierës sime. Është një vendim që do ta marr në kohën e duhur”, nënvizoi tutje Pogba.
Edhe pse mund të nënshkruajë qysh tash kontratë pasi i përfundoi suspendimi nga futbolli, mesfushori francez nuk e ka me nguti.
Ai nuk e përjashton mundësinë të luajë edhe në Francë, siç kanë bërë në të kaluarën lojtarët si André-Pierre Gignac apo N’Golo Kanté, të cilët kanë luajtur në Ligue 1 pa e humbur vendin në Kombëtare.
Sidoqoftë, Pogba e di se rikthimi i tij në fushën e blertë do të varet mbi të gjitha nga gjendja e tij fizike dhe nga ajo mentale.
Në të kaluarën, mesfushorin kualitativ e kanë karakterizuar lëndimet dhe problemet personale, ndërsa kjo e bën të vështirë dhe të paqartë etapën e tij të re.
“Këto sfida ma kanë dhënë një vendosmëri më të madhe. Ndihem si një fëmijë që dëshiron të bëhet lojtar profesionist. Jam rikthyer të jem Paul Pogba i vogël i Roissy-en-Brie, i cili dëshiron të lërë gjurmë”, përfundoi Pogba. /Gazeta Express