Po shkruhet historia, Kosova pjesëmarrëse në Lojërat Paralimpike Botërore 2024

Po shkruhet historia, Kosova pjesëmarrëse në Lojërat Paralimpike Botërore 2024

Komiteti Paralimpik i Kosovës ka organizuar ngjarjen “Kosova në Paris 2024 – Histori e Re Paralimpike”, e cila iu dedikua debutimit të Kosovës në Lojërat Paralimpike Botërore që do të mbahen në Paris.

E lumtur për këtë sukses të lëvizjes paralimpike u shpreh presidentja e KPK-së, Njomza Emini.

“Sot ndodhemi para një momenti historik që ka realizuar ëndrrën tonë të kamotshme. Për herë të parë në historinë e sportit tonë, Kosova do të përfaqësohet në Lojërat Paralimpike ‘Parisi 2024’. Ky është një moment që nuk shënon vetëm një arritje për sportistët tanë, por edhe për të gjithë ne si komb”, theksoi Emini.

Ajo falënderoi partnerët institucionalë dhe komercialë, të cilët kanë përkrahë dhe vazhdojnë të përkrahin sportin tek personat me aftësi të kufizuara.

Krenare për paraqitjen e Kosovës në ngjarjen më të madhe të paralimpizmit në botë u shpreh edhe zëvendëskryeministrja, Emilija Rexhepi. “Ky është një shembull i qartë i përkushtimit dhe vendosmërisë së sportistëve tanë dhe një dëshmi e punës së madhe që është bërë nga presidentja Emini për të arritur këtë sukses”, tha zëvendëskryeministrja.

Paraqitjen e Kosovës në “Paris 2024“ e vlerësuan lartë edhe ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot dhe ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç.

Guerot tha që pjesëmarrja e Kosovës në këto lojëra paraqet një mundësi të jashtëzakonshme për shkëmbim të përvojave, ndërkaq shprehu krenarinë e tyre që këto lojëra por ndodhin në kryeqytetin francez, Parisin.

Në anën tjetër, ambasadori Tunç përgëzoi paraatletët dhe drejtuesit e KPK-së për pjesëmarrjen e parë në Lojërat Paralimpike, duke shprehur besimin e tij që Kosova do të ketë një përvojë shumë të suksesshme atje. Ai po ashtu informoi që Turqia ka ofruar trajnime për para-sportistët kosovarë, sikur ato të fundit që u mbajtën në Izmir.

Të pranishmëve në këtë ngjaje ju drejtua edhe drejtori menaxhues i sponsorit premium të KPK-së, Banka TEB në Kosovë, Orçun Ozdemir. Ai tha që është kënaqësi të mbështesin parasportistët në këtë sfidë, si do të ofrojnë mbështetje edhe më të madhe në të ardhmen, duke ofruar pajisje dhe kushte më të mira.

Në fund të ngjarjes, për të pranishmit u shfaq edhe një reportazh rreth lëvizjes paralimpike ku protagonisti kryesor ishte themeluesi i Komitetit Paralimpik, z. Daut Tishuki, presidentja Emini, si dhe parasportistët Vjollca Hoxha dhe Grevist Bytyqi.