Po prishen makinat në Kolovicë, qytetarët në hall me ujin e gropat (video)
Kolovicën po e merr uji e rrugët po iu shndërrohen në gropa. Krejt kjo e ka një shkaktar. Gypat e ujit.
Nezir Musliu, kosovari i cili jeton në këtë lagje të kryeqytetit, ia lë fajin cilësisë së gypave të ujit, të cilët, sipas tij, po pëlcasin kohë pas kohë, duke bërë që rruga të jetë e pakalueshme.
Punimet e shumta në Kolovicë kanë bërë që gropat të jenë një realitet i ri për ata banorë.
Musliu drejton gishtin kah Ujësjellësi i Prishtinës, meqë si punëkryes, pas kryerjes së punëve, nuk po e rregullon atë pjesë të rrugës.
Gropat nuk janë i vetmi problem.
Punimet e shpeshta kanë bërë që banorët e asaj lagjeje të mbeten me ditë të tërë pa ujë.
Për shkak të prishjes së rrugës, Shaban Azemi, ka thënë se po i shkatërrojnë makinat e tyre gjatë kalimit në atë shteg.
Banorët e Kolovicës ankesat e tyre i përcollën si në Komunën e Prishtinës ashtu edhe në Kompaninë Regjionale të Ujësjellësit në Prishtinë.
Sipas tyre, nga asnjëra palë ata nuk morën përgjigje.
Ndonëse Musliut e Azemit, ujësjellësi nuk iu lajmërua, Kiksit zgjodhi që t’i përgjigjet.
Zëdhënësja e këtij institucioni ka thënë se ujësjellësi ka në plan ndërrimin e gypave në këtë lagje.
Komuna e Prishtinës, ndonëse ka pranuar kërkesat dhe pyetjet e emisionit lidhur me temën, ka zgjedhur të heshtë karshi kësaj problematike në lagjen Kolovicë të Prishtinës.