“Po përgatitemi që ta akuzojmë Serbinë për krime lufte”

“Po përgatitemi që ta akuzojmë Serbinë për krime lufte”

Kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar se po bëhen përgatitjet që të akuzohet Serbia si shtet përgjegjës për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Këto komente, Kurti i bëri gjatë homazheve në nderim të martirëve të familjes Muliqi.

“Janë duke u bërë përgatitjet që të akuzohet Serbia si shtet përgjegjës për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, e që janë krime kundër njerëzimit dhe (krime të) gjenocidit”, tha Kurti, raporton rtk.

Shefi i ekzekutivit i bëri thirrje Prokurorisë së Shtetit që të angazhohet maksimalisht, ditë e natë, “në mënyrë që vrasësit, për të cilët ka dëshmitarë të gjallë, të ndiqen të akuzohen, të dënohen sepse padrejtësi me vetëm të vërtetën plagët vazhdojnë të mbesin të hapura”.

“Për tetë martirët e familjes Muliqi dhe për 23 martirët e familjes Deliu sot e kësaj dite askush nuk është akuzuar dhe nuk ka mbajtur e nuk mban burg”, tha Kurti.

Deklarimi i plotë i kryeministrit Kurti:

Pas 26 shtatorit, në Abri të Epërme duhet të rikthehemi edhe më 30 mars.

Më 26 shtator 1998 janë vrarë 23 anëtarë të familjes Deliu nga foshnja gjashtë muajshe deri te plaku 94- vjeçar. Në mesin e të vrarëve është edhe Mihanja me djalin e saj 2 vjeçar, që është motra e zëvendësministrit tonë Blerim Gashani, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, i cili ndodhet këtu bashkë me neve.

Por sot, më 30 mars, këtu jemi për masakrën e dytë në fshatin e njëjtë. Masakra ndaj familjes Muliqi, e cila i ka tetë martirë dhe një dëshmor dhe nëntë luftëtarë të UÇK-së. Prej këtyre tetë martirëve, katër martirë ishin nxënës, pra ishin të mitur, Ganiu, Musa, Behrami edhe Abazi. Tash Sejfullahu është dëshmor i kësaj familje i rënë në betejën më 19 gusht 1998, pa i bërë 17 vjet. Pa i mbushur 17 vjet të plota, ai e ka shitur lopën në Qirez për të blerë armën e për t’iu bashkëngjitur UÇK-së, për të luftuar forcat okupatore serbe.

Andaj ne jemi sot këtu për të treguar solidaritetin institucional e kombëtar, qytetar e njerëzor me familjen Muliqi, me bacën Asllan edhe me familjen Deliu dhe me të gjitha familjet e dëshmorëve dhe martirëve të kombit tonë, të cilat i dhanë kaq shumë Kosovës për liri e për pavarësi, për çlirim e për bashkim.

Me keqardhje më duhet sërish të konstatoj që as për vrasjet, 23 të vrarët e masakrës në Abri të Epërme më 26 shtator 1998, dhe as për vrasjet e masakrës sërish në Abri të Epërme, më 30 mars 1999, nuk ka asnjë të akuzuar e as të dënuar, ndonëse u bënë plot vite që Kuvendi i Republikës së Kosovës me plotësim ndryshimin e ligjit dhe më pastaj Ministria e Drejtësisë me të gjithë mekanizmat e elementet përkatës e ka mundësuar edhe akuzën, edhe gjykimin, edhe dënimin në mungesë.

Pra, për tetë martirët e familjes Muliqi dhe për 23 martirët e familjes Deliu, sot e kësaj dite askush nuk është akuzuar dhe s’ka mbajtur dënim.

Andaj unë edhe njëherë e lus Prokurorinë e Shtetit që më krejt çfarë kanë e dinë, të angazhohen maksimalisht ditë e natë në mënyrë që ata vrasës për të cilët ka edhe dëshmitarë të gjallë, të ndiqen, të akuzohen e të dënohen. Sepse pa drejtësi, me vetëm të vërtetën, plagët vazhdojnë të mbesin të hapura e të njoma.

Lavdi dëshmorëve e martirëve të kombit, lavdi dëshmorëve e martirëve këtu në Abri të Epërme, të familjes Muliqi e Deliu!