Plagosja e gruas në Fushë-Kosovë, Haxhiu drejton kritika ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve

Plagosja e gruas në Fushë-Kosovë, Haxhiu drejton kritika ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar pas plagosjes së gruas nga bashkëshorti i saj, në Fushë-Kosovë duke drejtuar kritika në sistemin e drejtësisë.

Haxhiu përmes një postimi në rrjetin social në “Facebook” ka thënë se sipas informacioneve që kanë personi i dyshuar kishte qenë në mbajtje por ishte liruar “ani pse ishte recidivist dhe sapo është lënë i lirë ka shtënë me armë zjarri mbi gruan e tij”.

“Edhe ky rast është dëshmia më e tmerrshme e neglizhencës së institucioneve të drejtësisë, në këtë rast gjyqtarit dhe sipas informacioneve që kemi me vendimin e së cilit është pajtuar edhe prokurori. Gjithnjë po kërkohet një arsye që dhunuesi mos të përballet me pasojat. Këtë rast gjendja shëndetësore e tij. Kjo neglizhencë, këto vendime të gabuara e të nxituara po i stimulojnë rastet jo vetëm të dhunës, por edhe vrasjeve”, ka shkruar ministrja Haxhiu.

Postimi i plotë i saj:

Një grua në Fushë Kosovë e plagosur nga burri i saj vazhdon trajtimin në Qendrën Emergjente. Lutem për shëndetin e saj dhe i uroj shërim të shpejtë.
Sipas informacioneve që kemi, personi i dyshuar kishte qenë në mbajtje por ishte liruar anipse ishte recidivist dhe sapo është lënë i lirë ka shtënë me armë zjarri mbi gruan e tij.
Edhe ky rast është dëshmia më e tmerrshme e neglizhencës së institucioneve të drejtësisë, në këtë rast gjyqtarit dhe sipas informacioneve që kemi me vendimin e së cilit është pajtuar edhe prokurori. Gjithnjë po kërkohet një arsye që dhunuesi mos të përballet me pasojat. Këtë rast gjendja shëndetësore e tij. Kjo neglizhencë, këto vendime të gabuara e të nxituara po i stimulojnë rastet jo vetëm të dhunës, por edhe vrasjeve.
Në vazhdimësi kemi theksuar se rastet e tilla të dhunës ekstreme po dalin të jenë recidivistët dhe tashmë të denoncuar apo arrestuar për dhunë më herët. Kësisoj, është e pafalshme neglizhenca dhe mosdënimi adekuat i këtyre rasteve, që jo vetëm nuk po e parandalojnë më të keqen, por po shndërrohen në stimulues të dhunës e vrasjeve.
Secila grua, secili qytetar duhet të ndihet i fuqishëm kur denoncon dhunën në shtet. Aty është adresa ku përfundon dhuna dhe nis drejtësia dhe jo vatra e përshkallëzimit të dhunës.