
Pjetër Shala urdhërohet t’ua paguajë 208 mijë euro viktimave të tij
Pjetër Shala, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), i cili është dënuar për krime lufte nga trupi gjykues i Gjykatës Speciale, është urdhëruar për zhdëmtim të viktimave të tij në shumën prej 208 mijë eurosh.
Shala ishte dënuar me 18 vjet burgim më 16 korrik nga Gjykata e Specializuar për krime lufte e Kosovës, me seli në Hagë, raporton Radioa Evropa e Lirë.
Ai është shpallur fajtor për ndalim arbitrar dhe torturë kundër së paku 18 personave, dhe në pikën e vrasjes së paligjshme kundër një personi, më ose rreth datës 5 qershor 1999, në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë.
Sipas Gjykatës, viktimat kanë qenë kryesisht shqiptarë të Kosovës, që kanë pësuar dëme nga shqiptarë të tjerë të Kosovës.
Shala, i njohur me nofkën “Ujku”, është deklaruar më parë i pafajshëm për të gjitha akuzat.
Në shpalljen e urdhrit për zhdëmtim më 29 nëntor 2024, gjykata konstatoi se janë tetë viktima, që do t’u takojë dëmshpërblimi.
Viktima e parë, me dëme direkte, sipas Gjykatës, është e paraparë të pranojë 100 mijë euro dëmshpërblim për dëme fizike, mendore dhe materiale.
Kjo pasi sipas vendimit paraprak, me të cilin u dënua Shala, viktima e lartpërmendur ishte ndaluar arbitrarisht, me ç’rast ishte keqtrajtuar fizikisht dhe psikikisht me pasoja afatgjate.
Në anën tjetër, shuma e mbetur është ndarë në kompensime individuale dhe kolektive për shtatë viktimat e tjera, jo të drejtpërdrejta, përkatësisht familjarë të viktimave nga gjykimi i Shalës.
https://www.evropaelire.org/a/pjeter-shala-urdherohet-te-paguaj-mijera-euro-viktimave/33220437.html