Pjesë të Ferizajt tash e 28 orë në terr, KEDS-i thotë se ka mbingarkesë

Pjesë të Ferizajt tash e 28 orë në terr, KEDS-i thotë se ka mbingarkesë

Një banor i Ferizajt, në redaksinë e Klankosova.tv raportoi se në rrugën “Hasan Prishtina” të këtij qyteti nuk ka rrymë tash e 28 orë.

Ai shprehet se pavarësisht që rasti është lajmëruar të paktën pesë herë në KESCO, problemi vazhdon.

Klankosova.tv ka folur me zëdhënësin e KEDS-it, Lulzim Krasniqin, i cili thotë se problemi me energjinë elektrike në rajonin e Ferizajt vjen për shkak të mbingarkesës.

Madje, Krasniqi shtoi se si shkak i mungesës së kapaciteteve nga ana transmisive, KOSTT-i po kërkon shkyçjen në mënyrë që të ruhen asetet elektroenergjetike.

“Si pasojë e mungesës së kapaciteteve transmisive të transmisionit, KOSTT-i me qëllim ruajtjen e aseteve elektroenergjetike po kërkon shkyçjen për të tejkaluar mbingarkesën”, tha Krasniqi për Klankosova.tv.

Nga fillimi i kësaj jave, situata energjetike në vend ka pësuar kolaps pothuajse të tërë. Shumë komuna kanë mbetur në terr pothuajse të vazhdueshëm.

E dje, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, bashkë me Kryeshefin e KOSTT-it, Evetar Zeqiri dolën në konferencë për media për të njoftuar opinionin mbi këtë situatë.

Ata thanë se shkak i mungesës së energjisë elektrike në vend është “zhvillimi ekonomik” i viteve të fundit.