PIKAT E DOBËTA TË SERBISË

PIKAT E DOBËTA TË SERBISË

Shkruan: Milazim Krasniqi

Faktet për gjendjen e keqe të Serbisë janë kështu:
1. Borxhi publik i Serbisë është 32 miliardë dollarë. Kjo është një shumë marramendëse e borxhit, të një shteti që ka ekonomi të dobët. Sa për ilustrim po kthej në kujtesë faktin që borxhi i ish Jugosllavisë, në kohën kur ajo ra në krizën e borxheve, nga e cila pastaj pasoi edhe kriza politike dhe shpërbërja e përgjakshme, ka qenë 20 miliardë dollarë. Pra, ish Jugosllavia me të gjitha resurset që kishte me të gjashtë republikat dhe dy krahinat autonome, nuk e përballoi borxhin prej 2o miliardësh. Prandaj mund të thuhet se nga ky aspekt Serbia është shtet i falimentuar. Nuk arrinë të përballojë krizën e borxheve të mëdha ku e kanë futur qeveritë e saj, më së shumti vetë qeveria e Vuçiqit.
2. Sipas të dhënave që ka publikuar Sindikata Ushtarake, në këto vite, shërbimin në ushtri e kanë braktisur 10.000 profesionistë.
3. Ekonomia e Serbisë ka hyrë një një lloj varësie nga ekonomia kineze. Për këtë arsye ajo mund ta humb komplementaritetin me ekonomitë në Bashkimin Evropian. Edhe ndikimi i Rusisë me anën e gazit është evident, gjë që e rëndon edhe më shumë prospektin e ngrysët të ekonomisë serbe.
4. Mediet në Serbi janë nën terrorin e regjimit, për ç’arsye imazhi i saj përditë e më shumë po errësohet. Tashmë edhe në sistemnin e Tëitterit Serbia është evidencuar si shtet që kontrollon mediet, gjë që e vë në pikëpyetje besimin në mediet serbe.
5. Serbia është shtet, i cili zyrtarisht mbron kriminelët e luftës. Që nga Shesheli dhe dy anëtarët e partisë së tij, të cilët nuk i janë dorëzuar Tribunalit e deri te Radosavleviq Guri, urdhërdhënësi për vrasjen e vëllezerve Bytyqi, janë të mbrojtur nga shteti serb. Ndërsa një shtet që mbron kriminelët, nuk mund të ketë respektin në komunitetin ndërkombëtar.
6. Në një rangim të publikuar kohët e fundit lidhur me regjimet autokratike, regjimi i Serbisë është ranguar si regjimi i pestë autokratik në botë.
7. Partia SNS e Vuçiqit, sipas shumë vlerësimeve brenda e jashtë Serbisë, tashmë më shumë llogaritet si organizatë kriminale, se sa një parti politike. Kjo do të ketë reperkusionet e veta, si për atë parti, ashtu edhe për Serbinë, e cila udhëhiqet nga një organizatë kriminale.
8. Serbia është shtet me një rrethim të theksuar armiqësor. Marrëdhëniet e këqija të Serbisë me Bosnjen, me Kroacinë, me Malin e Zi dhe me Kosovën, janë barrë për ekonominë dhe shtetin serb, sepse harxhohen shumë para e shumë energji për të bërë presion mbi këto shtete. (6 tetor 2021)